“Erion Veliaj të presin shokët në qeli!”, Arlind Qori u përgjigjet akuzave të kryebashkiakut

Mirela Ruko, anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës nga “Lëvizja bashkë”, i bëri disa pyetje kreut të bashkisë mbi përgjegjësitë e tij për skandalet e njëpasnjëshme korruptive në Bashkinë e Tiranës, por ai ndërroi temë dhe i akuzoi anëtarët e lëvizjes si rrugaçë dhe frikacakë që nuk janë të majtë.

Pas akuzave reagoi drejtuesi i “Lëvizja Bashkë” Arlind Qori që shprehet se gjuha e Veliajt nuk është as e re, as e papritur dhe se janë gati të pranojnë çdo shpifje, që Erion Veliaj t’u japë përgjigje pyetjeve që sot i bën çdo qytetar i Tiranës.

Reagimi i Qorit

ERION VELIAJ TË PRESIN SHOKËT NË QELI!
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Erion Veliaj nuk iu përgjigj pyetjeve të përfaqësueses së Lëvizjes BASHKË Mirela Ruko mbi përgjegjësitë e tij për skandalet e njëpasnjëshme korruptive në Bashkinë e Tiranës. Siç ndodh zakonisht me hajdutët e zënë me presh në duar, ai ndërroi muhabet dhe nisi të sulmojë e shpifë për Lëvizjen BASHKË. “Rrugaçë, frikacakë, nuk jeni të majtë” – ishin disa prej pështymave të tij verbale ndaj nesh.
Kjo gjuhë nuk është as e re, as e papritur për ne. Jemi mësuar me ngordhësira morale e intelektuale që na akuzojnë për gjithçka e të kundërtën e gjithçkaje: “Komunistë, fashistë, sorosistë, rusofilë, kriptoberishistë, kriptoramistë, mjaftistë, istë, istë, istë…” Jemi gati të pranojmë çdo shpifje, por vetëm me një kusht. Erion Veliaj t’u japë përgjigje pyetjeve që sot i bën çdo qytetar i Tiranës:
1. A është bashkëpronar i hotelit që po ndërtohet në qendër të Durrësit, siç është zbardhur në përgjimet e një prej punonjëseve të shoqërisë 5D Konstruksion?
2. Sa merr në përqindje nga paratë që kanë vjedhur shokët e tij drejtorë prej buxhetit të Bashkisë së Tiranës?
3. Çfarë shume ia ka prishur mendjen që të shkelë ligjin dhe të shmangë Këshillin Bashkiak në kërkimin e ndërtimit të inceneratorit të Tiranës?
4. Sa e ka përqindjen për miratimin e një lejeje ndërtimi në Tiranë?
5. Edhe sa parqe, fusha sportive dhe hapësirë publike pritet t’i zhduken Tiranës për të ndërtuar pallate të larta?
6. A është përgjegjës për vrasjen e punëtorit adoleshent Ardit Gjoklaj më 2016 në landfillin e Sharrës?
Erion Veliaj nuk e ka guximin t’u përgjigjet këtyre pyetjeve përpara opinionit publik. Ai është i vetmi politikan shqiptar të cilit s’ia ka mbajtur asnjëherë të përballet publikisht me kundërshtarët e vet politikë, as në studiot televizive, të cilat i pushton dita-ditës si Kim Jong Uni i Koresë së Veriut, as në mbledhjet e Këshillit Bashkiak ku u mbyll mikrofonin kritikëve, mbaron fjalimin dhe ikën me vrap.
Gjithsesi ka ende shpresë që me kokën ulur e bishtin ndër shalë këtyre e të tjera pyetjeve të përgjigjet përpara prokurorëve.
Më lejoni të them dy fjalë edhe për majtizmin e pretenduar të Erion Veliajt. Afërmendsh, të jesh edhe hajdut, edhe i majtë nuk ka kuptim. Oksimoron e quajnë në logjikë. Mirëfilli, hajduti nuk ka asnjë ideologji sepse nuk përfaqëson askënd përtej xhepit të vet. As lidhet e majta me zhdukjen e hapësirave publike, mungesën e shkollave, kopshteve e çerdheve publike, degradimin e transportit publik dhe servilizmin ndaj oligarkëve.
Po kusuret e Erion Veliajt nuk fillojnë me marrjen e detyrës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Pakkush e mban mend që ai ka qenë Ministri i Çështjeve Sociale që ka miratuar reformën shkatërrimtare të pensioneve në vitin 2014. Falë saj, ende sot e për vite të tjera në të ardhmen mosha e daljes në pension do të vazhdojë të rritet. Po ashtu është zhdukur lidhja midis rritjes së pagave dhe rritjes së pensioneve. Falë “të majtit” Erion Veliaj dhe padronit të tij në krye të qeverisë, sot pensionistët shqiptarë marrin pension minimal prej 8000 lekësh dhe pension mesatar prej rreth 17.000 lekësh, nga më të ulëtit në Evropë.
Në fund, po e mbyll me një histori personale. Nuk e di ç’mendje e ligë prej vitesh ka përhapur shpifjen se unë kam lidhje me Erion Veliajn. Në fakt, deri një vit më parë Erion Veliajn e kam parë vetëm në televizione. Pas zgjedhjeve lokale të majit 2023 më ftuan në Top Channel në emisionin e Grida Dumës. Përpara meje ishte i ftuar Veliaj. Kur po këmbeheshim në shtigjet e studios, me hipokrizinë e tij karakteristike më thirri në emër dhe më drejtoi dorën. Meqenëse e kam parim të mos ua jap dorën hajdutëve, eca përpara i neveritur, duke i dhënë vetes një kënaqësi simbolike të cilën po e ndaj sot me ju: ia lashë dorën ngrehur një keqbërësi me nam./Tpz

 

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne