Eurodeputetët kërkojnë masa ndaj Izraelit: Ndalimi i flotiljes me ndihma për Gazën, akt piraterie

Një grup prej 24 anëtarësh të Parlamentit Evropian i kërkuan shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, të ndërmarrë veprime vendimtare lidhur me interceptimin ndaj Flotiljes Globale “Sumud” në ujërat ndërkombëtare, duke e përshkruar incidentin si një akt piraterie të mundshme. Në një letër drejtuar Kallasit të martën, ligjvënësit thanë se operacioni përbën shkelje flagrante të parimit të lirisë së lundrimit sipas ligjit ndërkombëtar. “Ky sulm i kryer në ujërat ndërkombëtare, përbën shkelje flagrante të parimit të lirisë së lundrimit dhe mund të karakterizohet si një akt piraterie”, thanë ata.

Ata theksuan se sekuestrimi i anijes dhe ndalimi i aktivistëve, përfshirë Saif Abu Keshek dhe Thiago Avila, shënuan një përshkallëzim serioz dhe nuk mund të trajtohen si një rast i izoluar.

Ligjvënësit theksuan se Abu Keshek ka shtetësi të dyfishtë spanjolle dhe suedeze, duke argumentuar se ndalimi i tij angazhon drejtpërdrejt detyrimet e bllokut sipas Nenit 23 të Traktatit për Funksionimin e BE-së, i cili garanton mbrojtje konsullore për qytetarët e BE-së jashtë vendit.

“Kjo situatë është e fundit në një seri shkeljesh sistematike të së drejtës ndërkombëtare që Bashkimi Evropian nuk mund t’i injorojë më”, thanë ata.

Ata i bënë thirrje BE-së që të verifikojë urgjentisht mirëqenien e aktivistëve të ndaluar dhe të ndërmarrë hapa konkretë në përgjigje, duke paralajmëruar se mosveprimi i vazhdueshëm rrezikon të dëmtojë besueshmërinë e bllokut si mbrojtës i së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave themelore.

Ligjvënësit kërkuan pezullimin e menjëhershëm të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, duke shtuar se sipas Nenit 2, marrëveshja është e kushtëzuar ligjërisht nga respektimi i të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike.

“Shpërfillja e vazhdueshme e Izraelit për këto vlera e bën vazhdimin e këtij traktati dypalësh ligjërisht dhe etikisht të papërshtatshëm. BE-ja duhet të ndalojë së ofruari një kornizë normaliteti për një shtet që vepron me pandëshkueshmëri absolute”, vunë në dukje ata. “E dashur znj. Kallas, heshtja dhe shqetësimi i thellë nuk janë më të mjaftueshme; ato janë bërë një formë bashkëfajësie”, shtuan ligjvënësit.

Misioni i “Pranverës 2026” i Flotiljes Globale “Sumud” që synon thyerjen e bllokadës së Izraelit në Rripin e Gazës dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare, u interceptua nga forcat izraelite natën e 29 prillit në brigjet e Kretës.Forcat izraelite ndërhynë në ujërat ndërkombëtare, duke sulmuar anije që transportonin aktivistë rreth 600 milje detare nga Gaza dhe vetëm pak milje nga ujërat territoriale greke. Një total prej 177 aktivistësh u ndaluan dhe thuhet se iu nënshtruan keqtrajtimit. Raportet bëjnë të ditur se aktivistët Avila dhe Abu Keshek, të cilët nuk u liruan dhe u dërguan forcërisht në Izrael, u janë nënshtruar abuzimeve të rënda fizike dhe kërcënimeve me vdekje gjatë marrjes në pyetje./AA

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne