Vetëm pak ditë nga rrëzimi i regjimit të Bashar al Assad, ministrat e Brendshëm të BE-së po diskutojnë atë mbi fatin që pret disa mijëra refugjatët sirianë në Evropë. Komisioneri evropian për Punët e Brendshme dhe Emigracionin, Magnus Brunner deklaroi se, ndërsa kthimet vullnetare po inkurajohen, është herët për të diskutuar dëbimet. Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm austriak kërkoi që përgatitje për një skenar të tillë të nisin sa më parë.
“Duhet të përgatitemi për gjërat e nevojshme. Nga njëra anë të ndërpresim procedurat e azilit dhe rrjedhimisht të përgatitemi për kthimet dhe dëbimet. Nuk mund të presim, duhet të punojmë”, deklaroi Gerhard Karner, ministër i Brendshëm i Austrisë. Ndërsa ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser i mëshoi skenarit të komisionerit, për të pritur se si do të shkojnë gjërat në Siri. Gjithashtu, ajo e vuri theksin tek kontributet e rëndësishme të refugjatëve sirianë në vendin e saj.
“Dua gjithashtu të theksoj se njerëzit nga Siria që punojnë në Gjermani japin një kontribut të rëndësishëm, për shembull në institucionet shëndetësore, si infermierë apo mjekë. Ne kemi shumë mjekë nga Siria. Ata janë të mirëpritur përsa kohë respektojnë ligjin dhe punojnë”, deklaroi Nancy Faeser, ministre e Brendshme e Gjermanisë.
Gjermania ka pritur më shumë refugjatë sirianë se çdo vend tjetër i BE-së në vitet e fundit, por disa politikanë të linjës së ashpër po kërkojnë largimin e tyre./EuronewsAlbania