Ashtu siç ishte paralajmëruar, në orën 18:30, qindra qytetarë janë mbledhur në Sheshin Skënderbej për të marrë pjesë në protestën dhe marshimin solidarizues me popullin palestinez, nën moton: “Të bashkohemi për të shpëtuar humanizmin!”
Tubimi, i organizuar nga aktivistë dhe qytetarë të ndërgjegjshëm, vjen si reagim ndaj gjenocidit të vazhdueshëm që Izraeli po ushtron mbi civilët në Rripin e Gazës. Prej muajsh, përmes bombardimeve të pandalura dhe bllokadës totale, mijëra viktima janë regjistruar në mesin e civilëve – shumica gra, fëmijë dhe të moshuar.
Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe kundër gjenocidit dhe në mbështetje të Palestinës, ndërsa thirrjet për ndaljen e masakrës dhe për veprim ndërkombëtar rezonuan në qendër të kryeqytetit. Ata kërkuan që bashkësia ndërkombëtare të mos heshtë më përballë kësaj tragjedie dhe që autorët e krimeve kundër njerëzimit të mbajnë përgjegjësi.
Organizatorët deklaruan se kjo është një thirrje për ndërgjegje kolektive, një akt solidariteti ndaj një populli që po zhduket përditë para syve të botës, dhe një apel për t’i thënë “Stop!” gjenocidit në Gaza./gazetaimpakt