“Fol me shefin e madh, dua ta takoj”/ Salianji nxjerr përgjimet: Fredi Alizoti është paguar nga drejtuesit e policisë për të shpëtuar Agron Xhafajn

Deputeti i PD, Ervin Salianji ka publikuar përgjimet telefonike të Prokurorisë mes Albert Nushi, ish-drejtor i Policisë së Fierit dhe Fredi Alizotit. Salianji thotë se Alizoti është paguar nga ish-drejtuesit e policisë, ndërsa në bisedën e përgjuar duket se Nushi dhe Alizoti flasin për pagesa. Deputeti demokrat pretendon se pas marrjes së pagesave, Fredi Alizoi ka ndryshuar dëshminë lidhur me çështjen “Babalja”, ku ai fillimisht denoncoi Agron Xhafajn për trafik droge, ndërsa më pas tha se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit të Brendshëm. Po gjatë komunikimeve, Nushi dhe Alizoti flasin edhe për shefin e madh.

“Janë qindra komunikime mes drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit. Ndodhen në dosjen zyrtare të Prokurorisë. Ka dhjetëra komunikime të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ish-drejtuesve të policisë, ish-prokurorit të çështjes Gentjan Osmani ku në të gjitha rastet vendosen në dispozicion dhe shërbenin për t’u marrë para, për të paguar lekë, për të vendosur kohën se kur do të bëhej arrestimi fals ku dëshmitari i rremë Alfred Alizoti të bënte burg në këmbim të parave që paguhen nga drejtuesit më të lartë të policisë. Drejtori i Policisë së Fierit i thotë se shefi është jashtë përkon me datën 7-8 qershor kur Fatmir Xhafaj si ministër i Brendshëm ishte në një aktivitet zyrtar në Kroaci”, u shpreh Salianji.

Pjesë nga përgjimet, 8 qershor 2018

Albert Nushi, ish-drejtor i Policisë së Fierit, i telefonon Fredi Alizotit 

Albert Nushi:
Je i madh. I more ato?

Alizoti: I madh jam unë e nuk kthehem mbrapa, ato që janë do vazhdojnë.

Albert Nushi: Po, po, i more ato?

Alizoti: Do sjellësh njeri të më takojë mua se jam këtu lart ku më latë atë natë. Se nuk dua të marr në telefon se jam i prerë.

Albert Nushi: Po ku je o?

Alizoti: Po ku më latë atë natë ore po të them.

Albert Nushi: Po unë jam në Fier ore.

Alizoti: Fol me shefin e madh. E kupton vetë ti, se s’dua ta them.

Albert Nushi: Kë do?

Alizoti: Shefin e madh.

Albert Nushi: Dëgjo tani, me kujdes. Nesër në orën 9 më bëj telefon.

Alizoti: Më erdhën 2 telefonata mua nga krahu tjetër.

Alizoti: Një sekondë, do t’i thuash shefit të më takojë mua sot se s’bën…

Albert Nushi: Shefi është jashtë, i ka deleguar kompetencat një tjetri.

Alizoti: Në ç’vend është?

Albert Nushi: Shefi është jashtë. Ka shumë mundësi që nesër pasdite të jetë këtu.

Alizoti: Nesër dmth do të marr unë ato (qesh)?

Albert Nushi: Dëgjo ore dëgjo, nesër…

Alizoti: Kur të më hedhin ato them. Ej, unë nuk bëj prapa, se e kam parasysh.

Albert Nushi: Dëgjo këtu, Fredi, këto që po të them se është këtu apo nuk është këtu ti verifikoje.

Alizoti: Jo, jo.

Albert Nushi: Dëgjo ore këtu. Ça do ti?

Alizoti: Dua të flas me njëri tjetër. Ça ke ti?

Albert Nushi: Po merr prokurorin o vlla ça ke?

Alizoti: Po mirë, ma jep numrin?

Albert Nushi: Mirë ja, po ta çoj me mesazh o Fredi.

29 gusht 2018 ora 12:00

Zv/drejtori i Policisë së Fierit, Andon Marko telefon Fredi Alizotin 

Andon Marko: Erdha unë. Ku do të takohemi?

Fredi Alizoti: Te Pazari i ri jam, afër 9-katësheve.

Andon Marko: E mora vesh, erdha.

1 tetor 2018 ora 12:35 

Andon Marko: Hë re?

Fredi Alizoti: Ça po bën?

Andon Marko: Hiç ja, kam ca njerëz.

Fredi Alizoti: Të mora, se ke njerëz aty, po të prish qetësinë. Ej, ça do bëjmë? Po pres atë mikun se kishte një porosi ai miku nga Tirana, kupton? E mora dy herë unë, kupton ti?

Andon Marko: Nuk e di çfarë të them se kam qenë i shkëputur këto ditë dhe s’di ç’të them.

Alizoti: E mirë, hajt.

1 tetor 2018 ora 16:11

Andon Marko: Hë vëlla?

Alizoti: Ça po bën ti? Fisnik ai vëlla, a mbajti llafin.

Andon Marko: Mirë, hajt.

5 tetor 2018 ora 13:11 

Andon Marko: Hë vlla ça po bën?

Alizoti: Ça do bëj? Ça po bën?

Andon Marko: Jam me ca miq, po hamë drekë.

Fredi Alizoti: Po mirë, pse s’ma bëre një zile mua?

Andon Marko: Kush?

Fredi Alizoti: Po ti të ma bëje një zile mua. Të dy në vaki jemi. Të më thoje jam këtu.

Andon Marko: Më morën për drekë. Flasim ndoshta filloj rregullisht nga e hëna e tutje.

Fredi Alizoti: Ty drekat nuk të ndahen.

Andon Marko: Flasim ndoshta filloj rregullisht nga e hëna e tutje.

Fredi Alizoti: Hajt se flasim se me ditë jemi.

Andon Marko: Mirë pa merak. Do të flasim nga e hëna e tutje. Hajt se do vij në punë unë.

5 tetor 2018 ora 19:55

Andon Marko: Hë re?

Fredi Alizoti: Ça po bën?

Andon Marko: Hiç, ja me ngushëllimet.

Fredi Alizoti: Në Tiranë jam.

Andon Marko: E mirë.

Fredi Alizoti: Ika në Tiranë unë do marr rroba dhe do rri këtej se kështu më thanë. E ke parasysh.

Andon Marko: Po ashtu do vij të të takoj.

Fredi Alizoti: Po si do vish të më takosh.

Andon Marko: Pa merak ore ça ke ti. Mos e vrit mendjen. Do takoheshim të hënën.

Fredi Alizoti: Jo, më thanë do marr rrobat dhe do rri tek një shoku im. Kështu do e bëjmë.

Andon Marko: Do të marr unë në telefon.

Deputeti demokrat ka akuzuar edhe ish-gjyqtarin Artan Gjermeni si të përshirë në këtë skandal.

“E gjithë sajesa në lidhje me gjyqin për kallëzimin e pabërë është depozituar në gjykatë për arsye që të shmanget nga kallëzimi i ri vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës. Gjyqtari i çështjes i cili është tërhequr në gjykime të tjera të mëparshme për shkak se njihte avokatin tim dhe ka deklaruar se ka konflikt interesi, më pas i ka ikur konflikti i interesit dhe më pas ka marrë përsipër të bëjë një gjë të pamendueshme që nuk është në funksion të ligjit”, tha Salianji.

Po ju lexoj një pjesë të përgjimeve të Prokurorisë së Torinos: Artan Gjermeni në shërbim të bandës kriminale të Lushnjes. Denoncimi ka ardhur nga të dhënat e ardhura nga provat e dosjeve gjyqësore që tregojnë lidhjen e drejtpërdrejtë të funksionarit në fjalë me eksponentët kryesorë të bandës kriminale. Sot funksionari se ka pretenduar se nuk ka lidhje me bandën, po ju lexoj se çfarë ka thënë më parë: Në gjykimin që i është bërë bandës së Lushnjes nga Gjykata e Krimeve të Rënda, i penduari i bandës Petrit Liçi ka deklaruar se një nga rastet e përfshirjes së drejtpërdrejtë të gjyqtarit Gjermeni, Liçi është ndihmuar për t’u liruar nga burgu për akuzën e armëmbajtjes pa leje, nga gjyqtari Gjermeni, me ndërhyrjen e Enver Dondollakut. Kjo gjë, në deponimet që Liçi ka bërë pa Gjykatës së Krimeve të Rënda depozitojmë dhe e kemi edhe ekstraktin e procesit gjyqësor, dokumentet do i vendosim në dispozicion edhe të SPAK, por edhe nga hetimi i ILD të kohës, Artan Gjermeni në dhunim të procedurave të shortit ka marrë përsipër direkt gjykimin e shortit të Liçit, e ka liruar atë pas 40 ditësh burg.

Po ju them për herë të parë, gjyqtari Artan Gjermeni është i kapur, ëshjtë në vendime gjyqësore ku janë transkriptet e bisedave në Sky ku bëhet fjalë për favorizim të grupeve kriminale, për ndërhyrje në short, manipulime në short për të shkuar te gjyqtari Artan Gjermeni me pretendimin se ka marrë para dhe përgjimet për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor do të publikohen në momentin e duhur… Ka përgjime zyrtare, disponohen nga Prokuroria”, theksoi Salianji, duke paralajmëruar kallëzim në SPAK. “Do të depozitojmë gjithçka që kemi dijeni. Lidhur me kallëzimin tjetër që do të dërgojmë në SPAK për shkak se Fatmir Xhafajt i është dhënë fuqi dhe mbrojtje politike, ligji nuk funksionin si për të gjithë, duke iu shmangur hetimit pasuror për shkak se është subjekt i ligjit antimafia, do të depozitojmë edhe këtë kjallëzim. Do të merremi më çdo person që është i përfshirë në këtë aferë jo vetëm korruptive, por që minon shtetin e së drejtës, shtetin ligjor dhe e kthen prokurorinë dhe gjykatat si një rast për përdorim politik, për të goditur kundërshtarin politik dhe shantazhuar. Në rastin tim as ma mbyllin dot gojën, as më vendosin dot në pozita të vështira. Do të nxjerrim në çdo rast përgjimet e tjera, do të bëjmë skanim të të gjithë personave të përfshirë”, paralajmëroi deputeti demokrat./Bw

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Na ndiq