Forumi Musliman proteston prezencen gyleniste ne KMSH

Deklaratë e kryetarit të Forumit Musliman të Shqipërisë z.Fisnik Kruja përgjatë protestës së sotme pranë Medreses së Tiranës

Me Emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

DEKLARATË

KMSH t’ju kthehet besimtarëve!
Forumi Musliman i Shqipërisë ka ndjekur me shumë shqetësim për vite me radhë zhvillimet e brendshme në institucionin përfaqësues të muslimanëve të Shqipërisë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH), dhe ka reaguar në disa raste duke mbajtur qëndrime publike karshi disa prej problematikave të shfaqura në të. Nisur nga ky shqetësim ne vëmë re se:

Së pari, me keqardhje është vënë re ndër vite, se KMSH është mbyllur gjithmonë e më shumë në vetvete rreth një grupi të caktuar njerëzish, duke shkelur parimin e gjithëpërfshirjes dhe demokracisë së brendshme mbi të cilat ai është themeluar. KMSH, për të ardhur keq, është kthyer në një institucion gjithmonë e më sektar duke vendosur në krye njerëz që i përkasin vetëm një sekti apo grupimi, siç është ai i hizmetit, apo ndryshe të njohur edhe si gylenistë. Kjo e vërtetë vihet re në tërësinë e kryesisë së KMSH dhe në emërimet e vazhdueshme të myftinjve dhe imamëve të ndryshëm, të cilët vërtiten në orbitën e simpatizantëve dhe ithtarëve të Lëvizjes Gylen. Për të arritur deri këtu ata kanë ndryshuar arbitrarisht statutin e KMSH duke miratuar nene të cilat dëmtojnë rëndë demokracinë e brendshme të institucionit dhe ç’është më e keqja në mjaft raste nuk zbatojnë në praktikë as pjesën tjetër të pandryshuar të tij.

Kryesia gyleniste e KMSH është de fakto organi i vetëm i cili komandon gjithë institucionin e KMSH duke tejkaluar kompetencat edhe të Këshillit të Përgjithshëm (KP), i cili ligjërisht është organi më i lartë i KMSH. Mbi gjysma e anëtarëve të KP emërohen nga kryesia gyleniste, ndërsa pjesa tjetër “zgjidhet” nën diktatin dhe presionin e kësaj kryesie ndaj myftinive të ndryshme.
Është e turpshme dhe skandaloze se si në mënyrën më të paskrupullt kryesia gyleniste e KMSH shkel statutin e saj dhe ligjet kushtetuese të këtij vendi. Edhe pse një grupim minorancë brenda muslimanëve shqiptarë, gylenistët i imponohen shumicës dërmuese përmes mekanizmave aspak ligjor, moral e fetar.

Së dyti, uzurpuesit gylenistë të KMSH kanë ardhur në krye të saj përmes infiltrimit, kamuflimit dhe përdorimit të konjukturave politike dhe financiare duke shfrytëzuar dobësinë dhe apatinë e drejtuesve të dikurshëm, dhe duke injoruar pothuajse të gjithë potencialin e ngritur fetar, intelektual dhe dinjitar përfaqësues që komuniteti i besimtarëve posedon, duke instaluar në zemër të institucionit njerëz pa kredenciale intelektuale, kontribuuese dhe fetare, por që iu përgjigjen urdhrave dhe direktivave të grupimit të tyre transnacional. Kjo praktikë nuk është gjë tjetër vetëm se një metodë permanente e gylenistëve, të cilën ata e kanë ndjekur edhe në Turqi, fakt ky i cili u bë i dukshëm për gjithë botën vetëm pas tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi më 15 korrik të 2016.

Së treti, për më shumë se një dekadë drejtuesit gylenistë të KMSH nuk kanë bërë asgjë për të përmirësuar gjendjen financiare të imamëve, të cilët në shumicën e rasteve paguhen me “rroga” mizerabël prej 50 dollarësh dhe shumica e tyre nuk janë të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore. Në të njëjtën kohë, për të njëjtën arsye ata nuk kanë bërë pothuajse asgjë për të aktivizuar xhamitë e shumta, të cilat për mungesë imamësh ka vite që nuk funksionojnë.

Së katërti, drejtuesit aktualë gylenistë të KMSH kanë dëmtuar rëndë sistemin arsimor islam të medreseve duke mbyllur disa prej tyre dhe duke shitur njërën prej godinave më të mëdha vakëf, në favor të shoqatës gyleniste Sema, e cila vetëm e administronte këtë medrese. Mësimi në medresetë e menaxhuara nga ky grupim zhvillohet me tarifa të larta arsimore dhe krahas saj janë reduktuar në maksimum lëndët e besimit fetar duke i kthyer ato praktikisht në kolegje në të cilat besimtarët muslimanë e kanë gati të pamundur t’i arsimojnë fëmijët e tyre.

Së pesti, mungesa e transparencës sesi menaxhohet KMSH dhe në veçanti pronat vakëf të saj, për të cilat janë ngritur shqetësime të vazhdueshme për shitje dhe abuzime, e rëndojnë edhe më shumë gjendjen aktuale të drejtuesve gylenistë të KMSH.

Së gjashti, “puçi institucional” nga gylenistët shqiptarë në krye të KMSH mban peng marrëdhëniet me Komunitetin Musliman të Turqisë, i cili refuzon të bashkëpunojë me ta pikërisht për faktin se ata refuzojnë të distancohen nga ky grupim që shkaktoi puçin e përgjakshëm të 15 korrikut. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse Xhamia e Namazgjasë, dhuratë e popullit dhe shtetit turk nuk është përfunduar akoma.

Së shtati, retorika e tolerancës ndërfetare dhe e luftës kundra ekstremizmit fetar, me të cilën gylenistët parapëlqejnë të shfaqen në opinion publik, është një tentativë e turpshme, e cila hedh baltë mbi shumicën e muslimanëve shqiptarë dhe kërkon të lërë në hije traditën e trashëguar të tyre ndër shekuj, që e ka burimin pikërisht nga mësimet islame, duke e paraqitur atë si vlerë gati ekskluzive të ithtarëve të Gylenit. Ndërkohë që gylenistët promovojnë dialogun me bashkësitë e tjera fetare, ata refuzojnë në mënyrë arrogante dialogun me besimtarët muslimanë, ndërkohë që disa imamë i kanë dërguar në stacionet e policisë, duke i akuzuar si ekstremistë dhe kriminelë pa pasur asnjë fakt.

Nisur nga sa më sipër, Forumi Musliman i Shqipërisë kërkon me forcë që ata t’i japin fund uzurpimit të paligjshëm të institucionit, dhe t’ua kthejnë atë besimtarëve muslimanë shqiptarë, ashtu siç u takon.

U bëjmë thirrje gjithashtu, mbarë besimtarëve muslimanë, si dhe hoxhallarëve që iu dhemb gjendja në të cilën gjendet KMSH, të refuzojnë presionin dhe shantazhin e pakicës gyleniste drejtuese dhe të kërkojnë vendosjen e legjitimitetit dhe demokracisë së brendshme institucionale.

Komuniteti Musliman i Shqipërisë i përket së pari besimtarëve muslimanë shqiptarë, të cilët kërkojnë marrëdhënie të mira me të gjithë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, përmes respektimit të parimeve islame, respektit reciprok dhe pavarësisë institucionale.

FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress