Gara për shefa komisariatesh, aplikojnë 290 efektivë për 48 vende

Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve publikon listën me emrat e 290 kandidatëve që kanë shprehur interes për pozicionin “Shef Komisariati”. Në mesin e tyre janë edhe 9 gra. Aplikantët kanë gradat Nënkomisar, Komisar dhe Kryekomisar, ndërsa garojnë për të drejtuar 48 komisariatet në vend.

Fillimisht, komisioni do të kryejë vlerësimin paraprak të aplikimeve, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore nga kandidatët. E më pas, do të jetë edhe faza e intervistimit me gojë, ku do t’u caktohet edhe pikëzimi. Sikundër përzgjedhja e drejtorit të përgjithshëm, drejtuesve në qarqe, edhe gara me konkurs për shefa komisariatesh behet për herë të parë. Risi në këtë garë është edhe komisioni që do të vlerësojë 290 kandidaturat. Ky komision përbëhet nga 3 gra. Referuar listës, pjesë e garës janë bërë shefat aktual të komisariateve, si dhe shefat e krimeve e të rendit.

Krahas zgjedhjes për shefa komisariati, vijon ende procesi për përzgjedhjen e drejtuesve të policisë në qarqe. Këtë të martë, në drejtorinë e përgjithshme është paraqitur për të bërë ankimim drejtori aktual në policinë e Fierit, Lorenc Panganika. Ai u rendit në vendin e 16-të me 66 pikë. Afati për ankimime mbyllet të martën në mesnatë. Ankimimet e bëra do të shqyrtohen nga një tjetër komisionin, që më pas i hap rrugë emërimit të 12 drejtorëve të rinj./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress