Gaza, ndërpriten shërbimet e komunikimit dhe të internetit shkaku i agresionit izraelit

Kompania palestineze e telekomunikacionit Paltel njoftoi se shërbimet e komunikimit dhe të internetit u ndërprenë sot në pjesën qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës. Në një deklaratë, kompania tha se shërbimet ishin ndërprerë “për shkak të agresionit të pamëshirshëm të Izraelit”. “Ekipet tona po punojnë për të rivendosur shërbimet sa më shpejt të jetë e mundur”, shtohet në deklaratë.

Shërbimet e komunikimit dhe të internetit u ndërprenë disa herë në mes të ofensivës vdekjeprurëse izraelite në enklavën e rrethuar palestineze. Izraeli ka ndërmarrë një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit të vitit të kaluar nga grupi i rezistencës palestinez Hamas kur sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Mbi 34.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në enklavë nga sulmet izraelite dhe rreth 77.300 të tjerë janë plagosur, përveç shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave. Izraeli gjithashtu ka vendosur një bllokadë në enklavën palestineze, duke e lënë popullsinë e saj në prag të urisë, veçanërisht banorët e Gazës veriore.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar. Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne