Gjashtë të vrarë, përfshirë fëmijë, në sulmin ajror izraelit ndaj banorëve të zhvendosur të Gazës

Të paktën gjashtë palestinezë, përfshirë fëmijë, u vranë dhe të tjerë u plagosën të shtunën në një sulm ajror izraelit në një zonë ku gjendeshin të strehuar banorë të zhvendosur, në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës. “Një aeroplan izraelit shënjestroi një depo që strehonte njerëz të zhvendosur në qytezën Bani Suheila, në lindje të Khan Younisit”, tha Mbrojtja Civile e Gazës në Telegram.

Një burim mjekësor tha për Anadolu se Spitali Nasser “priti gjashtë dëshmorë, përfshirë fëmijë, dhe një numër të paspecifikuar të plagosurish” nga sulmi. Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës që nga një sulm i 7 tetorit nga grupi i rezistencës palestineze, Hamas.

Më shumë se 38.900 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 89.600 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. Mbi nëntë muaj pas fillimit të sulmeve izraelite, pjesë të gjera të Gazës qëndrojnë në gërmadha, krahas një bllokade paralizuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të ndalonte menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne