“Gjendja është si një ditë pas”, 4 vite pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, banorët e Durrësit janë mes katër rrugëve

Katër vjet pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin, në bashkinë e Durrësit, epiqendrën e fatkeqësisë natyrore, procesi i rindërtimit vazhdon.

Shumë familje kanë arritur të futen në banesa të reja, ndërsa 2400 të tjera janë pa shtëpi dhe prej muajsh nuk trajtohen as me bonusin e qirasë. Kjo ka shkaktuar probleme ekonomiko-sociale për disa prej tyre dhe janë detyruar të kthehen në banesat e pariparuara, ose të papërfunduara ku ndjehen të pasigurt.

Në Durrës tërmeti la pas 24 viktima, afërsisht 8 mijë objekte të dëmtuara, mijëra familje pa strehë dhe nxënës pa shkolla. Mbi 1 000 objekte u deklaruan për shembje. Disa u shembën, të tjera qëndrojnë në pritje. E ndërsa një pjesë e objekteve shkollore janë rindërtuar, të tjera, përfshirë dhe gjimnazet kryesore të qytetit, janë në proces. Nxënësit e zhvillojnë mësimin në turnin e pasdites.

Këtë vit në Manëz përfundoi ndërtimi i lagjes së re, ndërsa në Spitallë të Durrësit punimet vijojnë. Strehimi vazhdon të mbetet problemi kryesor.

“Çelësat i morëm, kemi 2 javë, po kot. S’kemi ujë, drita. Vijmë, shohim dhe ikim”.

“Në bashki na thonë i kemi çuar emrat te elektriku, atje thonë s’kemi matës. Si bëhet kolaudimi?! Asnjë s’ka hyrë”, thanë dy familjarët.

Pallatet me dëme të nivelit të ulët e të mesëm (DS1-DS3) janë riparuar, por shumë prej atyre të dëmtuara rëndë qëndrojnë në pritje. Janë 96 pallate të shpallura të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit, me nivel dëmi DS4 që nuk janë riforcuar. Të tjera DS5 presin të shemben.

4 vjet pas tërmetit, edhe drejtësia dëshmoi se përgjegjësia për ndërtimet skandaloze mbeti pa fajtorë. Të gjithë ata që u arrestuan të akuzuar për një sërë veprash penale nga shpërdorimi i detyrës deri tek vrasje nga pakujdesia u lanë të lirë, ose u dënuan me periudhën e paraburgimit. Shumë prej të dëmtuarve nga tërmeti e kanë humbur shpresën.

“Pas 4 vitesh gjendja është si një ditë pas tërmetit. Jemi po njësoj. Bonus kemi 8 muaj që nuk marrim dhe asnjë zgjidhje. Hetimet po flejnë në sirtaret e prokurorisë së Durrësit. Prokurori që e kishte çështjen tentoi ta mbyllte, por u shkarkua nga Vettingu. Shpresa është shumë e pakët”, tha për “Top Channel” banori para pallatit për shembje.

I vetmi drejtues i lartë që qëndron pas hekurave i hetuar nga SPAK për “shpërdorim detyre” për rastin e një pallati të vetëm të dëmtuar nga tërmeti është ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili u arrestua në qershor të këtij viti./tpz

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne