Bota

Gjermania thotë se është gati të shtrijë dorën drejt Turqisë, kërkon ndryshime

Qeveria gjermane sinjalizoi të hënën një gatishmëri për të normalizuar marrëdhëniet me Turqinë, por gjithashtu kërkoi ndryshime në retorikën dhe politikat e Ankarasë ndaj Berlinit, mes tensioneve disa-mujore midis dy vendeve.

“Ne jemi gati të shtrijmë dorën drejt Turqisë, por një fillim i ri kërkon ndryshime në Ankara, si në aspektin e toneve ashtu edhe në çështjet faktike”, tha në një intervistë me gazetën Stuttgarter Nachrichten ministri i jashtëm, Sigmar Gabriel.

Vërejtjet e tij erdhën pasi qeveria e Turqisë po përpiqej të reduktonte luftën verbale mes dy vendeve, e cila është përshkallëzuar përpara zgjedhjeve të përgjithshme të Gjermanisë muajin e ardhshëm.

Gabriel shprehu shqetësim lidhur me arrestimin e nëntë shtetasve gjermanë në Turqi, duke përfshirë një gazetar dhe një aktivist për të drejtat e njeriut, të akuzuar për dhënien e mbështetjes për organizatat terroriste.

Ai përsëriti thirrjen e Berlinit për lirimin e shtetasve gjermanë.

Pavarësisht nga kritikat e tij të ashpra ndaj Ankarasë, politikani i Partisë Social Demokratike nuk i mbështeti thirrjet e opozitës për t’i dhënë fund bisedimeve të anëtarësimit të Turqisë me Bashkimin Evropian.

“Bashkimi Evropian është në thelb një bashkësi vlerash. Turqia ka dëshiruar prej kohësh që të bëhet anëtare e këtij komuniteti, atëherë ajo duhet të pranojë vlerat tona evropiane si të sajat dhe gjithashtu të veprojë në përputhje me rrethanat”, tha ai.

Blloku Kristian Demokrat i kancelares Anxhela Merkel dhe partnerët e saj Social Demokratë të koalicionit janë vënë nën presion kohët e fundit, ndërsa partitë e opozitës po kritikojnë qeverinë se është “tepër të butë” ndaj Turqisë.

Qeveria e Merkelit e mprehu tonin e saj muajin e kaluar dhe njoftoi disa masa ekonomike në një përpjekje për të rritur presionin ndaj Ankarasë. / © Gazeta Impakt

Etiketa

OPINIONE