Gjykata italiane vendosi kthimin e emigrantëve, anija e Rojës Bregdetare mbërrin në portin e Shëngjinit për të marrë 12 refugjatët e strehuar në kampin e Gjadrit

Anija e Rojës Bregdetare italiane ka mbërritur në portin e Shëngjinit për të marrë 12 refugjatët e strehuar në kampin e Gjadrit.

16 migrantë nga Bangladeshi dhe Egjipti mbërritën më 15 Tetor në portin e Shëngjinit, por pasi iu nënshtruan procedurave të kontrollin në qendrën në Shëngjin u mor vendimi që 4 prej tyre të ktheheshin në Itali, po atë ditë, për shkak se ishin të mitur. Ndërkohë 12 të tjerët u dërguan në kampin në Gjadër.

Por, ditën e djeshme (18 Tetor), Gjykata e Romës vendosi për rikthimin në Itali të emigrantëve që ndodhen në qendrat e strehimit në Gjadër. “12 emigrantët do të nisen nga Shqipëria me një anije të Marinës për t’u kthyer në Itali, duke zbarkuar në Bari”, raportoi ANSA.

Magjistratët e Romës nuk miratuan vendimin për mbajtjen në Shqipëri të 12 azilkërkueseve që vinin nga Egjipti dhe Bangladeshi. Shkak i vendimit të drejtësisë italiane, ishte vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, i dalë më 4 tetor.

Në atë vendim thuhet se një shtet për t’u konsideruar i sigurtë, duhet të jetë i tillë në çdo pjesë të tij për çdo person. “Nuk mund të kenë paragjykime apo diskriminime, ose tortura në asnjë zonë të territorit. Egjipti dhe Bangladeshi, siç është dhe Tunizia, nuk janë vende të sigurta”, thotë vendimi.

Mediat raportojnë se edhe pse kërkesa e tyre për azil tashmë është refuzuar, emigrantët do të kenë 14 ditë afat për të apeluar kundër refuzimit të kërkesës së tyre./Panorama 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne