Grupi ekstremist izraelit bllokon ndihmën humanitare për Gazën

Një grup ekstremist izraelitësh bllokuan kamionë që po transportonin ndihmë humanitare për në Gaza sot në pikën kufitare “Kerem Shalom”. Organizata, që e quan veten “Tsav 9”, kishte ndërprerë vazhdimisht shpërndarjen e ndihmës në Gaza gjatë gjenocidit izraelit përpara se armëpushimi të hynte në fuqi më 10 tetor.

Në një postim në rrjetin social amerikan X, grupi tha se anëtarët e saj “po pengojnë aktualisht kalimin e kamionëve me ndihma” në pika të shumta gjatë rrugës për në pikën kufitare, e cila kontrollohet nga Izraeli.

Grupi pretendon se “Hamasi shkel marrëveshjen dhe refuzon të kthejë pengjet, kështu që ndihma që u mundëson atyre të rindërtojnë duhet të ndalet”, duke shtuar: “Asnjë kamion me ndihma nuk do të kalojë derisa të kthehet i vdekuri i fundit”.

Duke kundërshtuar këto pretendime, Brigadat Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, thanë të mërkurën se po punojnë intensivisht për të gjetur trupat e mbetur të robërve izraelitë.

Brigadat vunë në dukje se kërkohen pajisje dhe teknika të specializuara për të kërkuar nën rrënoja dhe për të nxjerrë trupat e mbetur. Grupi ekstremist izraelit postoi një video që tregon anëtarët e tij duke bllokuar kalimin e një kamioni me ndihma.

I formuar gjatë ofensivës së fundit izraelite, “Tsav 9” kohët e fundit ka bllokuar rrugët që çojnë në kalimet kufitare, ka organizuar protesta pranë vendkalimeve dhe në disa raste ka plaçkitur ose dëmtuar dërgesat e ndihmave, sipas të përditshmes “Times of Israel”.

Hamasi liroi 20 pengje izraelitë të gjallë dhe dorëzoi mbetjet e dhjetë robërve të tjerë në këmbim të gati 2.000 të burgosurve palestinezë sipas marrëveshjes së armëpushimit.

Marrëveshja midis Izraelit dhe Hamasit u arrit javën e kaluar, bazuar në një plan të paraqitur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Faza e parë përfshinte lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani parashikon rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.

Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë gati 68 mijë palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe e kanë bërë atë kryesisht të pabanueshme./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne