Guterres lidhur me tensionet në Lindjen e Mesme: Dënoj çdo lloj veprimi hakmarrës

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres lidhur me pretendimet se Izraeli ka kryer sulm kundër Iranit, tha se dënon çdo lloj veprimi hakmarrës.

Në një deklaratë me shkrim nga zëdhënësi i OKB-së thuhet se është e nevojshme që t’i jepet fund ciklit shumë të rrezikshëm të hakmarrjes në Lindjen e Mesme. “Dënoj çdo lloj veprimi hakmarrës”, tha Guterres duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që duke vepruar së bashku të pengojë iniciativat që mund të shkaktojnë pasoja të tmerrshme në rajon.

Pretendimet se Izraeli sulmoi Iranin dhe Sirinë

Televizioni shtetëror iranian raportoi për shpërthimin që u dëgjua në verilindje të rajonit Isfahan ku ndodhet baza e Forcave Ajrore të Iranit.

Agjencia zyrtare iraniane IRNA vuri në dukje se zhurmat e shpërthimit në të njëjtën kohë kanë ardhur edhe nga zona veriperëndimore e rajonit Tebriz. Ndërsa mediat amerikane në lajmet e tyre të bazuara në zyrtarë amerikanë njoftuan se Izraeli ka kryer sulm në territorin e Iranit.

Teksa autoritetet izraelite janë shmangur të komentojnë lidhur me çështjen, zyrtarët iranianë nuk kanë akuzuar ende drejtpërdrejt Izraelin. Agjencia siriane e lajmeve SANA në lajmin e saj të bazuar në burim ushtarak, pretendon se Izraeli ka kryer sulm me raketa ndaj disa pikave në kufijtë jugorë të vendit ku ndodhen sistemet e mbrojtjes ajrore./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne