Nga Xhafer Sadiku
Masakrat e përgjakshme mbi popullin e Gazës, shkatërrimi i spitaleve, vrasja e fëmijëve dhe civilëve të paarmatosur, kanë ndodhur përpara syve të një bote që hesht – ose më saktë, që e justifikon këtë dhunë në emër të “mbrojtjes” së Izraelit. Kjo mbështetje e verbër, në vend që ta frenojë agresorin, e ka trimëruar atë. Në kushtet e një euforie ushtarake dhe një arrogance të mbështetur politikisht, Izraeli guxoi së fundmi të bombardojë drejtpërdrejt Iranin – duke e zhvendosur konfliktin nga një krizë rajonale në një kërcënim global.
Ky është një nga momentet më të rrezikshme për sigurinë ndërkombëtare që nga Lufta e Ftohtë. Për herë të parë, një sulm i përgjithshëm kundër Izraelit nga Irani, me raketa dhe dronë, tregoi se mbrojtja izraelite – që për dekada u paraqit si “e pathyeshme” – është jo vetëm e tejkalueshme, por e pambrojtur përballë një sulmi të mirëorganizuar. Dhe kjo goditje, më shumë se ushtarake, ishte psikologjike: për herë të parë, Izraeli nuk ndjehet më i paprekshëm.
Në këtë dramë që po luhet në Lindjen e Mesme, roli i Perëndimit, dhe në veçanti i SHBA-së, është vendimtar. Në vend që të shërbejë si faktor stabilizues, administrata aktuale amerikane po shfaqet si nxitëse e përshkallëzimit. Presidenti që premtoi se do të ndalte ciklin e luftërave të pafundme, sot shihet si sponsori më i madh i një konflikti të ri – me potencial shkatërrues.
Por e vërteta është se rreziku më i madh për Izraelin nuk vjen nga Irani dhe as nga shtetet arabe përreth. Rreziku i vërtetë është vetë ideologjia që e konsideron veten si “popull i zgjedhur”, dhe tokën e Palestinës si “tokë të premtuar”, të justifikuar përmes një mitologjie që rrënjoset thellë në një narrativë fetare dhe historike të diskutueshme. Kjo qasje, që i mohon një kombi të tërë të drejtën për të ekzistuar, është në thelb e papranueshme – dhe një pengesë e pakalueshme për paqen.
Izraeli nuk mund të mbijetojë duke përçudnuar popujt fqinjë, as duke përdorur fitoren ushtarake si mjet sigurie afatgjatë. Mbijetesa e tij nuk varet nga sa armë zotëron, por nga aftësia për të bashkëjetuar me të tjerët, në barazi dhe në respekt të ndërsjellë. Paqja me Lindjen e Mesme është e vetmja rrugë drejt sigurisë së qëndrueshme – jo luftërat, sado të lavdëruara të jenë në fjalimet politike.
Mbështetja pa kushte e Perëndimit për një shtet që, në emër të sigurisë, shkel çdo normë ndërkombëtare, nuk është më çështje politike – është një çështje morali. Bota është sot më afër një lufte të re globale, ndoshta edhe bërthamore, jo pse Irani dëshiron luftë, por sepse i është imponuar një realitet ku ndëshkimi për dhunën është i njëanshëm, dhe drejtësia – e ndarë sipas interesave.
Nëse Perëndimi dëshiron realisht stabilitet, duhet të ndalojë së mbështeturi verbërisht një shtet që i ka kthyer tekstet e shenjta në pretekst për pushtim, dhe sigurinë në justifikim për shfarosje. Rruga drejt paqes fillon me njohjen e realitetit dhe me zbatimin e së drejtës për të gjithë – jo vetëm për më të fortin./GAZETAIMPAKT