Shqiperia

Ilir Meta: Nuk mund të firmos një letër të bardhë, do të zbatoj Kushtetutën!

Presidenti Ilir Meta, ka dalë në një konferencë shtypi gjatë ditës së sotme, për të sqaruar opinionin publik, lidhur me kërkesën e qeverisë për plotëfuqi, për negociatat me Greqinë për delimitimin e hapësirës detare. Siç e kishte bërë me dije më herët nëpërmjet letrës së dërguar Ditmir Bushatit, Presidenti u shpreh se dokumentacioni i dërguar nga qeveria është i paplotë. Meta tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, lidhur me marrëveshjen e rrëzuar të vitit 2009, e përcakton qartë rolin e Presidentit dhe se ky vendim përcakton vijat e kuqe të cilat ai nuk mund ti kaloje. Sipas Metës, qeveria duhet t’i dërgojë Presidentit objektin e marrëveshjes, emrat e negociatorëve dhe parimin që do të aplikohet.

“Duhet të theksoj se për këtë cështje ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila është një vijë e kuqe për të gjithë. Është detyra e Presidentit të respetkojë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, sepse Presidenti është betuar për mbrojtjen e Kushtetutës.”

Meta u shpreh se nuk mund të firmosë një letër të bardhë sepse kjo gjë nuk përputhet m vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Presidenti nuk mund të firmosë një letër të bardhë, me disa probleme të cilat kanë nevojë të saktësohen sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.”

“Qëllimi i Presidentit nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë të bëjë lojë politike në mardhënie me fqinjët, me Greqinë dhe aq më tëpër në një çështje kaq delikate.
Presidenti nuk mund të vihet para fakteve të kryera.”

Presidenti u pyet nëse ndihet nën presion me vizitën Tsipras në Shqipëri dhe idenë e hedhur se marrëveshja do të firmoset gjatë kësaj vizite, Meta u shpreh se pavarësisht respektit për kryeministrin grek, asnjë vizitë e personaliteteve të huaja nuk mund ta pengojnë atë ne ushtrimin e detyrave të përcaktuar nga Kushtetuta.