Irani thërret të ngarkuarit me punë të Danimarkës dhe Suedisë për përdhosjen e Kuranit!

Irani ka thirrur të ngarkuarin me punë të Suedisë dhe Danimarkës në Teheran në shenjë proteste ndaj përdhosjes së përsëritur të Kuranit të Shenjtë në dy vendet nordike.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Departamentit të të Drejtave të Njeriut në Ministrinë e Jashtme të Iranit thirri të dielën veç e veç të dy të ngarkuarit me punë.

Diplomati iranian dënoi ashpër vazhdimin e akteve të shëmtuara dhe të urryera të fyerjes së librit të shenjtë mysliman në këto dy vende, duke thënë se Republika Islamike beson se qeveritë e Suedisë dhe Danimarkës duhet të mbajnë përgjegjësinë e plotë për pasojat e rënda të kësaj lëvizjeje blasfemike. Më tej, zyrtari iranian paralajmëroi kundër vazhdimit të këtyre akteve “konspirative dhe të rrezikshme”, dhe iu referua komenteve të mëparshme të Liderit Suprem të Revolucionit Islamik se mbështetja e kriminelëve dhe përdhosësve të Kur’anit të Shenjtë është një lloj shpallje lufte kundër muslimanëve të botës.

Ai u kërkoi gjithashtu dy të dërguarve që t’u përmbahen detyrimeve ndërkombëtare bazuar në nenet 19 dhe 20 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR), duke theksuar se parimi i lirisë së shprehjes bazohet në detyra dhe përgjegjësi specifike. “Fatkeqësisht, duke mos treguar vendosmëri dhe vullnet serioz në trajtimin e gjuhës së urrejtjes dhe islamofobisë, Suedia dhe Danimarka vazhdojnë të mbështesin aktet blasfemike”, tha zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Departamentit të të Drejtave të Njeriut në Ministrinë e Jashtme të Iranit.

Nga ana e tyre, të dy të dërguarit shprehën qëndrimet e vendeve të tyre në dënimin e çdo përdhosjeje të Kuranit të Shenjtë, duke thënë se qeveritë e Suedisë dhe Danimarkës janë të vendosura të parandalojnë veprime të tilla duke bërë ndryshime në ligjet e tyre të brendshme. Ata gjithashtu thanë se do të njoftonin qeveritë e tyre për protestën e Iranit në lidhje me aktet e përdhosjes së Kuranit të Shenjtë./parstoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne