Izraeli dhe Palestina: apo përralla e dy vendeve (dita 4)

Olsi Jazexhi

Udhëtimi për në Nablus dhe në Mukata-në e Jaser Arafatit

[dita e katërt]

Në datën 23 dhjetor shoqëruesit na dërguan në fshatrat dhe qytetin e Nablusit. Rrugës për në Nablus ndaluam dhe vizituam fshatin e Jaludit. Ky fshat që është rreth 17 km larg Nablusit dhe shtrihet në një hapësirë prej 20.000 dynymësh rrethohet nga fshatrat arab të Karjutit dhe Kusras, dhe rrethohet nga pesë koloni ilegale çifute: Shilo, Esh Kodesh, Adi Ad, Ahija dhe Shvut Rashel.

Në fshatin e Jaludit ne u pritëm nga pleqësia e fshatit. Ata na morën rreth 300 metra larg postbllokut të Zaatarit. Në këtë postbllok i cili ndodhet në hyrje të Nablusit arritëm rreth orës 10.00 am. Kur ju afruam postbllokut miqtë palestinezë ndaluan larg tij për të mos qenë pranë me ushtarët izraelitë. Ky postbllok i tmerronte palestinezët. Edhe pse atë ditë ushtria nuk e kishte bllokuar rrugën, postblloku mbikqyrej nga ushtarë izraelitë të cilët rrinin pranë një stacioni autobusi ku kolonët çifutë me automatik në krah merrnin autobusin për të shkuar në koloninë e tyre të Havad Giladit. Kolonët e Havad Giladit ishin të tmerrshëm dhe terrorizonin pa ndërprerë banorët e Nablusit. Havad Giladi ishte një koloni e vendosur në majë të një kodre në hyrje të Nablusit. Kjo kodër i ngjan shumë kodrës ku është kalaja e Rozafës në Shkodër. Havad Giladi është njësoj sikur çifutët të shkonin në Shkodër, të rrëmbenin kodrën ku shtrihet kalaja e Rozafës dhe aty të ndërtonin një koloni e cila qendron sipër urës së Bahçallëkut. Ushtria izraelite i bllokonte hyrjet e Nablusit tamam sikur një ushtri e huaj të vendoset në hyrje të Shkodrës në Bahçallëk për të ruajtur koloninë çifute që do vendosej në Rozafë dhe për hir të asaj të terrorizonte të gjithë Shkodrën.

Kolonia Havad Gilad eshte ne koder, ndersa postblloku izraelit eshte poshte ne rruge

Kolonët e Havad Giladit dhe bëmat e tyre raportohen gjerë në mediat ndërkombëtare por edhe ato izraelite. Në 10 janar 2018 ata ja mësynë me gurë fshatit arab të Faratës ku thyen xhama dhe goditën banorët arabë të zonës:

Duke qenë se unë nuk e njihja këtë realitet, i pyeta miqtë palestinezë pse na ndaluan aq larg nga hyrja e qytetit ndërsa prisnin miqtë nga Jaludi që të na merrnin. Ata më thanë që postblloku i Zaatarit ishte më i tmerrshmi në Palestinë. Aty ushtarët izraelitë vrisnin pothuajse përditë arabë.

Pse? – pyeta unë?

Kot për qejf – më thanë – Për të provuar sesi vritet njeriu.

#          #          #

Miqtë nga Jaludi na erdhën shpejt. I pritëm nja 15 minuta, kohë e mjaftueshme për disa nga grupi ynë që të pinin një cigare dhe të shikonim koloninë e Havad Giladit e cila ruhej me kulla ushtarake, ushtarë me automatik, tela, kamera etj. Shikoja edhe çifutët me jarmulka në kokë, cullufe të gjata dhe automatikë në dorë që rrinin sëbashku me ushtarët izraelitë ndërsa prisnin autobusin për tu ngjitur në koloninë e tyre në majë të kodrës. Kolonia dhe kolonët më dukeshin të çmendur. Thoja me vete – këta kanë pasaporta amerikane në xhep, kanë kushërij pasanikë në gjithë botën dhe kanë vendosur të rrojnë në maj të këtij shkëmbi të thatë, duke i shpallur luftë gjithë banorëve autoktonë të Palestinës.

Nuk arrija ta shpjegoj çmendurinë e kolonistëve të cilët kanë braktisur Amerikën, Evropën, Afrikë, qytetërimin, paqen dhe qetësinë etj për të jetuar me luftë, inat dhe dhunë në një vend i cili nuk është i tyre dhe nuk i do.

Kolonite e Shilos, Khirbet Sarras dhe Shut Rashelit. Pamja eshte marre nga fshati Jalud

Kryetari i komunës së Jaludit erdhi sëbashku me 2 vajza të gjata me shami që punonin në komunën e fshatit për të na treguar rrugën. Ne i ndoqëm nga pas me makinën tonë. U ngjitëm në ca kodra shkëmbore kur më në fund arritëm në komunën e Jaludit. Aty kryeplaku i fshatit, Abdullah Hakimi dhe kolegët e tij na mikpritën. Në ftuan në zyrën e tyre ku pasi na qerasën me një kafe pa sheqer arabe na treguan gjëmën që kishte zënë zonën.

Jaludi dhe fshatrat palestineze të zonës vuanin që nga viti 1978 nga zaptimet ilegale të tokës nga çifutët. Në vitin 1978 qeveria izraelite dhe një grup kolonësh kishin rrëmbyer 752 dynym tokë nga fshati i Turmus Ajas dhe 635 dynymë nga fshati Karjut dhe kishin ndërtuar koloninë e Shilos. Kjo koloni e cila tani kishte rreth 4.000 kolonë ishte ndërtuar me pretendimin se aty ka qenë fisi i 12 i çifutëve që rridhte nga familja e Benjaminit, nipit të Abrahamit.

Më pas kishin ardhur kolonë të tjerë nga Evropa e Amerika dhe koloni të tjera sikur Shvut Rachel, Esh Kodesh, Adei Ad, Khirbet Sarra dhe Ahiya. Këto koloni të cilat tanimë numëronin njëmbëdhjetë, janë ilegale dhe denoncohen vazhdimisht për ilegalitetin e tyre nga Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar.

Banorët e Jaludit na treguan sesi kolonët çifutë që ishin shumica me origjinë amerikanë dhe evropianë u grabisnin pa mbarim tokat. Ata kishin pushtuar të gjitha kodrat përreth Para 2 javësh Jaludit i kishin rrëmbyer një copë toke të re. Kolonistët i sulmonin fshatarët dhe në banditërinë e tyre ndihmoheshin nga ushtria e shtetit ‘demokratik’ të Izraelit.

Kolonia e Ahiyas eshte ne maje te kodres nga ku kolonistet me arme na monitoronin me xhipa. Fshati i pare eshte Jaludi ku arabet jetonin me frike

Pamja e fshatit Jalud ishte e frikshme. Ndërsa Jaludi ngrihej mbi një kodër, kodrat përreth tij ishin pushtuar nga kolonët çifutë dhe bazat ushtarake izraelite që ruanin ato. Kolonët jo vetëm që i kishin vjedhur kodrat dhe tokat, por tanimë nuk i linin palestinezët që as të punonin tokat e tyre dhe as të merrnin frytet e ullinjve shekullorë. Abdullah Hakimi na tregoi sesi në vitin 2013 kur fshatarët palestinezë kishin tentuar që të vjelin ullinjtë e tyre, 18 prej tyre ishin plagosur nga kolonët dhe ushtria izraelite.

Në videon më sipër e cila u xhirua në kufirin e fshatit Jalud me koloninë Ahja, Abdullahu na tregon kolonitë që kanë rrethuar fshatin. Ai tregon sesi kolonët kishin sulmuar shkollën e fëmijëve që ishte në kodrën ku qëndronim ne dhe sesi banorët jetonin me frikë nga agresorët izraelitë. Gjatë intervistës drejt nesh erdhi një xhip i rojeve të kolonisë, ndërsa dy kolonë rrini me automatik në dorë në hyrje të fshatit. Abdullahu na tregoi sesi toka ku tanimë ishte xhipi i kolonëve ishte zaptuar përpara dy javësh.

kolonistet zioniste jane brenda ne makine ndersa monitorojne intervisten tone ne fshatin Jalud

Intervista jonë nuk zgjati shumë pasi fshatarët na këshilluan që të largoheshim pasi për punë minutash aty do të vinte ushtria izraelite në mbështetje të kolonëve që i kishim 100 metra larg. Tamam sikur në Hebron edhe këtu palestinezët tmerroheshin nga ushtria izraelite. Me ata nuk kishte debat e protestë. Ata ishin të dhunshëm dhe aty mund të shkoje si qeni në vresht.

#          #          #

Pas vizitës në Jalud shkuam në Nablus. Për të hyrë në qytet na u desh që të kalonim nëpër postbllokun e Zaatarit ku pamë ushtarët izraelitë që monitoronin hyrjen e qytetit, kolonët çifutë që prisnin autobusët për të shkuar në kolonitë e tyre dhe koloninë e Havad Giladit që rrinte në kodrën hyrëse të qytetit. Pasi kaluam Zaatarin u futëm në Nablus. Por edhe këtu në hyrje të qytetit pamë makina ushtarake izraelite të cilat kishin postblloqet e tyre.

Nablusi, ndryshe nga qytet e tjera palestineze na u duk më i zhvilluari, më i rregullti dhe më mesdhetari. Qyteti kishte një kishë të krishterë, disa xhami dhe për më tepër një sinagogë samaritanësh dhe komunitetin më të madh të samaritanëve që rrinin në Palestinë. Nablusi mu duk qyteti më i bukur i Palestinës ndoshta nga që i ngjante Beratit dhe shtrihej mes maleve të Gerizimit dhe Ebalit. Nablusi është qytet i themeluar nga romakët të cilët e emëruan në greqisht Flavius Neapolis apo Qyteti i ri i Flaviusit, për nder të perandorit romak Vespansianit. Por ndërsa në Itali qyteti Neapolis me kalimin e kohës u njoh si Napoli nga italianët, arabët pasi e pushtuan me Khalid bin Velidin në kohën e kalifit Umar, Neapolisin grek e arabizuan dhe e quajtën Nablus.

Nablusi ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane nga viti 1517 deri në 1918 kur qyteti u pushtua nga britanikët dhe australianët. Rezistenca e fundit për të mbrojtur Nablusin është bërë në shtator 1918 nga forca turke, gjermane dhe shqiptare nën komandën e gjeneralit gjerman Otto Liman von Sanders dhe Mustafa Fevzi Çakmakut, mikut të ngushtë Qemal Ataturkut dhe shqiptarit Ahmet Njazi Bej Resneliu. Për 400 vite Nablusi është drejtuar nga shumë pashallarë osmanë dhe arnautë sikur i gjithë Levanti. Ndërsa në shekullin e 19-të ai ka qenë për disa vite nën pushtetin e Khedivit shqiptar të Egjiptit, Mehmet Aliut.

Në Nablus ne vizituam An-Najah National University – apo Universitetin Kombëtar an-Najah dhe radio televizionin An-Najah Broadcasting Channel. Universiteti i Nablusit ishte një super universitet i ndërtuar me donacione nga shtetet arabe. Këtë universitet ultra-modern Shqipëria do e kishte ëndërr.

Por vendi më fantastik i Nablusit ishte pazari i tij apo Merkezi i Tuxharëve i cili ishte ndërtuar nga bejlerbeu boshnjak i Damaskut, Lala Mustafa Pasha ndërmjet viteve 1563 – 1569 dhe shtrihej në zemër të qytetit. Lala Mustafa Pasha e kishte ndërtuar pazarin në të njëjtën kohë kur kishte ndërtuar edhe në Damask të Sirisë pazarin e njohur si Suk al-Hamidija. Pazari i Nablusit i ngjante pazarit të Stambollit. Rrugët me kalldrëm, hanet dhe çajhanet të jepnin idenë se je në Stamboll. Më interesantja e këtij pazari ishte ekzistenca e një rrugice në pazar që quhej rruga e jahudijve. Kur i pyeta palestinezët pse kjo rrugë quhej kështu, ata më thanë që këtu ka qenë zona ku samaritanët kishin dyqanet dhe konakët e tyre. Në rrugën e çifutëve ndodhej edhe një dyqan ku gatuhej Kunafa, një nga ëmbëlsirat më të mira në botë.

pllakati perkujtues ne pazarin e Nablusit per boshnjakun Lala Mustafa Pasha si ndertues i pazarit

Një nga arsyet pse Nablusi na pëlqeu shumë ishte se në qendrën e qytetit nuk pamë ushtarë izraelitë sikur në Hebron apo sikur do të shikonim më pas në Jeruzalem. Mungesa e ushtarave, automatikëve, armëve, kullave ushtarake, telave dhe makinerisë ushtarake dhe ekzistenca e një prej pazareve më të mëdhenj të Lindjes së Mesme, dhe për më tepër bashkëekzistenca e çifutëve samaritanë, të krishterëve dhe muslimanëve e bënin Nablusin me të vërtetë Palestinë. Në malin Gerizim i cili ngrihej në njerin nga malet e qytetit jetonin samaritanët, të cilët arabët i quanin samarijun por që në kohët para Izraelit i quanin jahudi. Samaritanët dhe muslimanët shkonin për mrekulli me njëri tjetrin edhe pse ishin të dy feve të ndryshme. Samaritanët e konsideronin veten palestinezë dhe ndryshe nga kolonët çifutë dhe ushtarët izraelitët që rrinin në hyrje të qytetit, ata nuk kishin nevojë për mbrojtje nga Izraeli dhe armata e tij e frikshme. Arabët i konsideronin vëllezër palestinezët e fesë çifute të cilët jetonin në tokat e tyre shekullore.

Bashkëekzistenca e palestinezëve me samaritanët në Nablus, të bindte katërcipërisht që faj për konfliktin në Palestinë nuk kanë arabët, muslimanët, të krishterët apo edhe vetë jahudijtë, por banditët zionistë që i vjedhin tokën palestinezëve dhe mbështetësit e tyre protestantë amerikanë që mbështesin këtë grabitje.

Nablusi mu duk qyteti më fantastik i Palestinës pasi ai më dukej në një farë mënyrë si një Turqi në miniaturë. Izraeli me energjinë e tij negative, dëshirën për luftë dhe konflikt ishte larg. Izraeli ishte në hyrje të qytetit i fshehur matanë malit që mbronte qytetin nga energjia negative e kolonistëve. Izraeli pushtues mbaronte në postbllokun e Zaatarit dhe në koloninë e Havad Giladit. Ndërmjet maleve të Gerizimit dhe Ebalit ishte një botë tjetër. Në Nablus mu duk vetja sikur të isha në Shqipëri apo në Turqi.

#          #          #

Pas vizitës të shkurtër në Nablus u nisëm për në Ramallah. Aty na priste Dr. Ahmed Soboh, drejtori i Fondacionit Jaser Arafat i cili na mirëpriti në Muzeumin e Jaser Arafatit në al-Mukatah. Dr. Soboh dhe kolegët e tij al-Mukatanë apo pallatin presidencial të Jaser Arafatit e kishin kthyer në një muzeum kombëtar jo vetëm për Arafatin por për të gjithë Palestinën. Ky muzeum ishte konceptuar si një farë Anıtkabir-i (për ata që kanë vizituar mazoleumin e Ataturkut në Ankara) apo muzeu – mazoleum për atin e kombit të Palestinës. Në muzeum përmblidheshin disa koncepte në një. Aty gjeje varrin e Jaseri Arafatit i cili ruhej nga dy ushtarë gjithë kohën, gjeje shtëpinë, zyrën, studion dhe bunkerin ku Arafati i rezistoi izraelitëve deri sa ata e helmuan dhe vdiq, por në brendësinë e muzeumit me foto, piktura, letra dhe dokumente ishte shkruar edhe historia e përgjakshme e Palestinës.

Dr. Ahmed Soboh duke na prezantuar me varrin e shehid Jaser Arafatit

Në një pikturë gjigande që ishte vënë në hyrje të pavionit historik të muzeumit vizitori gjente dhe shikonte të gjithë heronjtë e Palestinës. Ndërsa në qendër të saj qendronte Jaser Arafati, aty shikoje edhe Sheh Ahmed Jasinin themeluesin e Hamasit, Xhorxh Habashin themeluesin e krishter të Frontit për Çlirimin e Palestinës, Haxh Emin al-Huseinin muftiun e Jeruzalemit që i rezistoi kolonializmit britanik, hoxhën sirian Izzedin al-Kassam i cili drejtoi rezistencën palestineze dhe siriane kundër imperializmit francez dhe britanik, Fatih Ibrahim al-Shikakin themeluesin e Xhihadit Islamik, Muhammed al-Najjarin i cili drejtoi komandon palestineze kundër lojtarëve izraelitë në Mynih, por edhe Eduard Saidin, intelektualin e famshëm protestant palestinez i cili me studimet e tij dërrmoi shkollën imperialiste të orientalizmit.

piktura ku jane rreshtuar te gjithe herojte e Palestines. Nga Ahmed Jasini deri te Jaser Arafati

Në muze tregoheshin foto të palestinezëve nën okupimin izraelit, rabinët samaritanë me biblën e tyre në dorë që kishin qenë në Palestinë që përpara Izraelit, murgjit e krishterë me kishat e tyre dhe vuajtjet e pafund të palestinezëve që nga kolonizimi britanik e deri me krijimin e Izraelit. Muzeumi tregonte vendimet e kongresit zionist të Zvicrës të vitit 1897 kur projekti i Theodhor Herzlit nisi, vendimin e qeverisë britanike për të krijuar koloninë e Izraelit dhe të gjithë konspiracitë, planet, traktatet, deklaratat që fuqitë e krishtera të Perëndimit kanë bërë kundër palestinezëve për hir të çifutëve dhe shtetit biblik të Izraelit.

Muzeumi shoqërohej me foto të panumërta palestinezësh që vriten, rrihen, dhunohen, dëbohen, keqtrajtohen nga kolonizatorët e bardhë britanikë dhe më pas zionistë. Por në mesin e kësaj historie gjakatare tregohej figura e Arafatit si një figurë gjigande botërore e cila i drejton dhe përfaqëson palestinezët në arenën ndërkombëtare. Arafati tregohet në foto me mbretërit arabë, me Bill Klintonin dhe Jitzhak Rabinin, me Imam Khomeinin dhe me Zhou Enlain. Ndërtuesit e muzeumit kishin bërë stenda të veçanta për të gjithë udhëheqësit e rezistencës palestineze, nga Ahmed Jasini e deri te Haxh Emin al-Huseini. Edhe pse shumë nga këta udhëheqës palestinezë Izraeli, Amerika dhe britanikët i kanë shpallur terroristë, palestinezët nuk i shikonin kështu. Ata i shikonin të gjithë si heronj të popullit të shtypur të Palestinës. Për palestinezët terroristë janë udhëheqësit pushtues të Izraelit.

Jaser Arafati gjate takimit me Imam Khomeinin. Pas takimit, Khomeini deboi ambasadorin izraelit nga Irani dhe celesat e ambasades izraelite ia dha shtetit te Palestines

Ndryshe nga politikanët shqiptarë apo nga disa klerikë shqiptarë e kosovarw, të cilët kur USAID-i, ambasada amerikane apo izraelite në Tiranë i çojnë në Izrael ata shkojnë në muzeumin e Jad Vashemit dhe luten për Izraelin, unë gjatë vizitës sime shkova në muzeumin e Palestinës. Në Mukata. Aty u luta për Arafatin dhe Palestinën. Sa po hyra në mazoleum dhe i mbushur plot me emocion, dhimbje dhe shpresë u luta para varrit të Arafatit. Merhumit i lexova el-Fatihanë apo suren e parë të Kuranit. U luta për Arafatin që prehej në varr dhe Palestinës që ishte në flakë. Ju luta Allahut përpara varrit të Arafatit dhe në prezencë të trupës së nderit që ruante varrin e tij që një ditë Allahu të bënte ymër dhe të çlironte Palestinën.

Duke lexuar el-Fatihane ne varrin e Arafatit

 

[Dita e Pare]

[Dita e Dyte]

[Dita e Trete]

[Dita e Katert]

[Dita e Peste]

[Dita e Gjashte]

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne