Izraeli ka arrestuar 4.860 palestinezë në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori

Me arrestimin e 14 palestinezëve tjerë është rritur në 4.860 numri i palestinezëve që forcat izraelite kanë arrestuar që nga 7 tetori në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar. Shoqata e të Burgosurve Palestinezë dhe Komiteti për Çështjet e të Burgosurve Palestinezë të lidhur me Organizatën për Çlirimin e Palestinës, kanë dhënë deklaratë të përbashkët me shkrim lidhur me çështjen.

Në deklaratë thuhet se forcat izraelite gjatë natës kanë arrestuar 14 palestinezë të tjerë në pika të ndryshme të Bregut Perëndimor kryesisht në Al-Khalil, Nablus dhe në kampin e refugjatëve Al-Jalazone në veri të Ramallahut. Më tej thuhet se ka arritur në 4.860 numri i palestinezëve të arrestuar në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar që nga 7 tetori e deri më tani kur Izraeli filloi sulmet e tij ndaj Gazës.

Në deklaratë thuhet se forcat izraelite gjatë arrestimeve dhe bastisjeve ndaj shtëpive të palestinezëve kanë kryer shkelje të tilla si keqtrajtime, goditje dhe kërcënime ndaj të arrestuarve dhe familjarëve të tyre si dhe hapje të zjarrit të drejtpërdrejtë me qëllim vrasjen dhe shkatërrim të shtëpive të palestinezëve. Që kur forcat izraelite filluan sulmet ndaj Gazës, nga 7 tetori e deri më tani është shënuar rritje e arrestimeve, bastisjeve dhe sulmeve ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor nën pushtim./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne