Ushtria izraelite ka vrarë 2 persona dhe ka plagosur 5 të tjerë duke shënjestruar shtëpinë e familjes së drejtorit të Qendrës së Ambulancës të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në Deir Al-Balah.
Në një deklaratë nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze thuhet se Izraeli vendosi në objektiv shtëpinë e një zyrtari të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në kampin e refugjatëve Al-Maghazi në Gaza.
Duke shënjestruar shtëpinë e Enver el-Hulit, drejtorit të Qendrës së Ambulancës në Deir Al-Balah, ushtria izraelite ka shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e shumë personave.
Ekipet e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze evakuuan trupat e dy personave dhe të 5 personave të plagosur, thuhet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur se shumë persona të tjerë kanë mbetur nën rrënoja.
Forcat izraelite vazhdojnë të shënjestrojnë qendrat shëndetësore dhe punonjësit e tyre në rajone të ndryshme të Rripit të Gazës.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze ka njoftuar se ushtria izraelite e cila ka vendosur në objektiv qendrën e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në Khan Younis, ka vrarë 7 palestinezë për tre ditë dhe se ka bombarduar edhe zonën përreth spitalit Al-Amal që i përket Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se Izraeli synon të eliminojë sistemin shëndetësor në rajon, se që nga 7 tetori me sulmet e tij ka vrarë 326 persona nga personeli shëndetësor, ka arrestuar 99 prej tyre, ka shënjestruar në mënyrë të qëllimshme 150 institucione shëndetësore si dhe ka lënë jashtë funksionit 30 spitale dhe 53 qendra shëndetësore në Rripin e Gazës./AA