Izraeli shkel armëpushimin me Libanin, kryen sulme vdekjeprurëse në Gaza

Ushtria izraelite ka kryer sulme të reja në Liban, duke shkelur një marrëveshje armëpushimi me lëvizjen e rezistencës Hezbollah, ndërsa ka intensifikuar sulmet ajrore vdekjeprurëse në Rripin e Gazës. Në një deklaratë të publikuar të enjten në X, ushtria libaneze tha se forcat izraelite të okupimit shkelën disa herë marrëveshjen e armëpushimit menjëherë pas hyrjes së saj në fuqi dhe ditën pasuese.

“Këto shkelje përfshinin narjet ajrore dhe sulme mbi territorin libanez duke përdorur armë të ndryshme,” thuhej në deklaratë. Ushtria izraelite konfirmoi sulmin e saj ajror të së enjtes në jug të Libanit dhe shtoi se forcat e saj hapën zjarr edhe ndaj njerëzve që po ktheheshin në shtëpitë e tyre në atë zonë.

Më herët, mediat libaneze raportuan se të paktën dy persona u plagosën pasi zjarri i tankeve izraelite goditi pesë fshatra dhe disa fusha bujqësore në jug të vendit. “Armiku izraelit po sulmon ata që po kthehen në fshatrat kufitare,” deklaroi deputeti i Hezbollahut, Hassan Fadlallah. “Izraeli po kryen sot shkelje, madje edhe në këtë formë.”

Izraeli u detyrua të pranonte një armëpushim me Hezbollahun pasi pësoi humbje të mëdha gjatë më shumë se 14 muajve luftë dhe dështoi të arrinte objektivat e tij në agresionin ndaj Libanit. Marrëveshja e armëpushimit, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, hyri në fuqi para agimit të së mërkurës dhe pritet të zgjasë 60 ditë, me shpresën për një ndalim të përhershëm të armiqësive.

Të paktën 3,961 persona u vranë dhe 16,520 të tjerë u plagosën në sulmet izraelite ndaj Libanit. Hezbollahu hapi një front mbështetës për palestinezët në Gaza vetëm një ditë pasi Izraeli nisi luftën kundër territorit të rrethuar në tetor 2023, duke kryer sulme të shumta hakmarrëse ndaj objektivave izraelite në territoret e okupuara.

Pas armëpushimit, Hezbollahu deklaroi se do të vazhdojë të rezistojë ndaj Izraelit dhe të monitorojë tërheqjen e ushtrisë izraelite nga jugu i Libanit “me dorën mbi këmbëzën e armës” për të mbrojtur sovranitetin e Libanit. Gjithashtu, Hezbollahu theksoi se luftëtarët e tij “mbeten plotësisht të përgatitur për t’u përballur me aspiratat dhe sulmet e armikut izraelit” dhe rikonfirmoi angazhimin e tij ndaj çështjes palestineze, duke deklaruar se do të vazhdojë rrugën e rezistencës me vendosmëri edhe më të madhe.

Sulmet izraelite në Gaza vrasin 42 persona

Të paktën 42 persona u vranë të enjten në sulmet izraelite në të gjithë Rripin e Gazës. Raportet tregojnë se forcat izraelite kanë intensifikuar bombardimet në zonat qendrore të Gazës, ndërsa tanket kanë avancuar më thellë në veri dhe jug të territorit palestinez. Që nga tetori 2023, regjimi i Tel Avivit ka vrarë të paktën 44,330 palestinezë dhe ka plagosur 104,933 të tjerë gjatë sulmit brutal në Gaza.

Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, deklaroi se të paktën 70 për qind e viktimave të sulmeve izraelite në Gaza janë gra dhe fëmijë.

Lazzarini theksoi gjithashtu se ofensiva e vazhdueshme izraelite në veriun e Gazës ka zhvendosur 130,000 persona gjatë shtatë javëve të fundit./gazetaimpakt/presstv

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress