Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka njoftuar se Izraeli po vazhdon të ndalojë hyrjen e stafit ndërkombëtar dhe të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.
Megjithatë, rreth 12 mijë punonjës vendas të agjencisë po vazhdojnë të ofrojnë “kujdes shëndetësor, mbështetje psikosociale dhe arsimim për banorët, shpesh në kushte të paimagjinueshme,” thuhet në një postim të UNRWA-s në platformën X.
Izraeli kishte ndaluar veprimtarinë e UNRWA-s në territoret që kontrollon që vitin e kaluar, duke pretenduar se disa prej punonjësve të saj janë pjesëtarë të Hamasit.
Javën e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se Izraeli, si fuqi okupatore, është i detyruar të mbështesë përpjekjet humanitare të OKB-së dhe agjencive të saj, përfshirë UNRWA-n. Gjykata theksoi gjithashtu se Izraeli nuk ka ofruar prova të mjaftueshme për pretendimet se një numër i konsiderueshëm i punonjësve të UNRWA-s janë pjesë e Hamasit.
Në postimin e saj, agjencia theksoi se “vetëm armëpushimi nuk mjafton” dhe se “ushqimi, kompletet higjienike, tendat dhe ndihmat e tjera janë urgjentisht të nevojshme.” /mesazhi
















