Izraeli vret të paktën 78 palestinezë, ndërsa Trump flet për “përparim të madh” në bisedimet për Gazën

Të paktën 78 palestinezë janë vrarë që nga agimi në Rripin e Gazës nga sulmet izraelite, përfshirë 14 që po prisnin pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave, raportojnë burime mjekësore për Al Jazeera.

Sipas spitaleve al-Awda dhe Al-Aqsa Martyrs në Gaza, të paktën nëntë persona u vranë të mërkurën në mëngjes pranë kryqëzimit Netzarim, teksa prisnin ndihma.

Qendrat e ndihmave të menaxhuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA, janë kritikuar ashpër nga OKB-ja dhe agjencitë humanitare, duke u quajtur “kurthe vdekjeje”, pasi shpesh ndodhen pranë pozicioneve ushtarake izraelite, ku civilët bëhen objektiv i zjarrit.

Gazetari i Al Jazeera-s në Gaza, Hani Mahmoud, raportoi se njerëzit kanë vetëm 20 minuta për të marrë ndihma, pas së cilës shpërthejnë të shtënat, duke shkaktuar viktima të shumta.

Përveç kësaj, pesë persona nga e njëjta familje u vranë në një sulm ajror pa paralajmërim në Deir el-Balah, dhe tre të tjerë në kampin e refugjatëve Nuseirat.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, numri i përgjithshëm i viktimave që nga fillimi i luftës ka arritur në 56,077 të vrarë dhe 131,848 të plagosur. Ndërkohë, spitalet janë në kolaps për shkak të mungesës së furnizimeve mjekësore dhe numrit të madh të të plagosurve.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite konfirmoi vdekjen e shtatë ushtarëve të saj të martën në Gaza. Gjashtë janë identifikuar, ndërsa emri i shtatë ende nuk është bërë publik. Të gjithë ishin pjesë e Batalionit të Inxhinierisë Luftarake 605 dhe ishin të moshës nga 19 deri në 21 vjeç. Një ushtar tjetër nga i njëjti batalion u plagos rëndë.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se po bëhet “përparim i madh” në përpjekjet për të përfunduar luftën. Ai tha se sulmi amerikan ndaj Iranit mund të ketë ndikuar pozitivisht në ecurinë e procesit të paqes në rajon.

Zyrtarë nga Katari dhe Egjipti kanë konfirmuar se bisedimet e ndërmjetme midis Izraelit dhe Hamasit mund të nisin brenda dy ditëve. Hamas ka pohuar se kontakti me ndërmjetësit është intensifikuar, edhe pse nuk ka ende ndonjë propozim të ri konkret. /mesazhi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne