Familjet e pengjeve izraelite organizuan protestë para rezidencës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Kudsin Perëndimor për të kërkuar marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve me grupet palestineze në Gaza. “Jepi fund luftës. Marrëveshje e pengjeve menjëherë”, dhe “Pengjet nuk do të mbijetojnë një dimër tjetër”, ishin disa nga pankartat e protestuesve.
Në një deklaratë, organizatorët e protestës paralajmëruan se pengjet “nuk do t’i mbijetojnë të ftohtit të acartë në tunelet e Gazës”.
Të afërmit e pengjeve izraelite dhe partitë opozitare kanë përshkallëzuar protestat e tyre kundër qeverisë së Netanyahut, të cilin ata e akuzojnë për sabotim të përpjekjeve për të arritur marrëveshje shkëmbimi me palestinezët për të liruar të dashurit e tyre. Izraeli vlerëson se rreth 101 pengje ende mbahen nga Hamasi në Gaza, disa prej të cilëve besohet se janë vrarë tashmë nga sulmet ajrore izraelite në të gjithë enklavën me popullsi të dendur.
Përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari deri më tani kanë dështuar në arritjen e një armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve në Gaza, por Washingtoni pohon se vrasja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, mund të çojë në një përparim në bisedime. Sinwar u vra nga Izraeli më 18 tetor. Hamasi, megjithatë, thotë se konflikti do të përfundojë vetëm kur Izraeli të ndalojë fushatën e tij ushtarake në enklavën e bllokuar, ku ka vrarë afro 43.800 palestinezë që nga tetori 2023.
Sulmi izraelit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza./Aa