Rexhep ELEZAJ
Sovraniteti (fr. souveraineté – pushtet suprem), d.m.th. pavarësi e një shteti në punët e jashtme dhe arenën ndërkombëtare-botërore, e drejtë për të vendosur në mënyrë të lirë dhe të pavarur për çështjet e veta NË marrëdhëniet me shtetet tjera, pa iu nënshtruar asnjë ndërhyrjeje, urdhri apo kontrolli nga jashtë.
Mirëpo, kur është fjala për Kosovën, sovraniteti i saj që nga qershori i vitit 1999, kur në KS të OKB-së është miratuar Rezoluta 1244, ajo vazhdon të jetë nën protektorat ndërkombëtarë, për shkak:
– të pranisë së institucioneve ndërkombëtare NË Kosovë, siç është EULEX-i dhe KFOR-i me kompetenca të gjera në Kosovë, duke ia kufizuar sovranitetin, si dhe duke e mbajtur nën protektorat ndërkombëtar,
– shpallja e pavarësisë dhe njohja e kufizuar ndërkombëtare,
pranë faktit se Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008 dhe numrit të madh të shteteve që e njohën atë si të pavarur, ishin disa vende, përfshirë fuqitë e mëdha si Rusia dhe Kina, që ende vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e saj, gjë e cila vazhdon ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata kyçe ndërkombëtare, si në OESB, UNESCO, KiE, UNDP, OKB, etj., duke e kufizuar kështu sovranitetin e saj të jashtëm dhe të brendshëm, meqenëse Kosova ende vazhdon të mos ketë qasje të plotë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare ekonomike, tregtare dhe diplomatike.
Po ashtu, Republika e Kosovës nuk e ushtron sovranitetin e saj të plotë as në planin e brendshëm të sigurisë, sepse në veri të Kosovës FSK-ja nuk mund të vendoset apo ta ushtrojë funksionin e saj të plotë edhe në atë pjesë, pa lejen e KFOR-it, sepse kufijtë e saj i mbron NATO-ja e jo FSK-ja, gjë që nënkupton sovranitet të kufizuar dhe jo të plotë në gjithë territorin e shtetit të cilit i shërben.
Prandaj, pretendimet e disa konjukturave zyrtare në Kosovë, se qeveria në detyrë e Kosovës e paska kthyer sovranitetin e plotë në veri, nuk ishin asgjë tjetër përveç se një retorikë e fushatës zgjedhore me thekse të qarta populliste, siç u pa në fushatën e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, meqë, po qese forcat e KFOR-it vetëm për një orë do largoheshin nga Kosova, i cili siç dihet qe 26 vite i ruan dhe mbron gjithë kufijtë e saj, dhe jo FSK-ja, i gjithë ky pretendim megaloman për sovranitet të plotë në veri, do të binte poshtë për 5 sekonda, kur dihet se Kosova ende nuk është shtet plotësisht i pavarur dhe sovran, veçse i cili vazhdon të jetë nën protektoratin e NATO-s dhe të Amerikës, dhe, madje ky ka qenë fati shekullor i shqiptarëve.
Përndryshe, pa ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999 dhe detyrimin e kapitullimit të saj në Kosovë, sot ajo do kishte qenë një krahinë e okupuar nga Serbia, dhe, sot 26 vite më pas askush nuk do mund të na fliste për sovranitet dhe shtetin sovran, siç po flasin shumë oponentë të pushtetit ende fiktiv, madje me trimëri të madhe, thua se ata ishin çlirimtarët e saj të vetëm.
God Bless Amerika, se sa për disa “patriotë” me tupana, sot në Kosovë nuk do jetonin më shumë se 100 mijë shqiptarë, prandaj ata të cilët nuk e kuptojnë realitetin rreth sovranitetit të kufizuar të Kosovës, janë të frymëzuar nga triumfi mbi opozitën që të na mbajnë ligjërata koti në mediet dhe portalet shqiptare./fb


















