Julian Meçaj dhe Plarent Dervishaj “çudisin” Gjykatën e Posaçme: Nga Dubai erdhëm vetë për t’u përballur me drejtësinë

Gjykata e Posaçme ka caktuar këtë të enjte masat e sigurisë “arrest me burg” për dy personazhet e njohur të botës së krimit, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj, të cilët u deportuan një ditë më parë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Masat e sotme të sigurisë ndaj tyre kanë të bëjnë vetëm me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj dhe Aleksandër Lahos alias Pëllumb Muharremit, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.

Gjatë seancës në GJKKO, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj kanë deklaruar para gjyqtares Rudina Palloj se kanë ardhur vetë me dëshirën e tyre nga Dubai për t’u përballur me drejtësinë shqiptare, duke kërkuar masa më të buta sigurie pasi sipas tyre nuk kanë rrezik ikje. Dervishaj dhe Mecaj kanë çuditur jo pak kur janë shprehur para gjyqtares Rudina Palloj se kanë ardhur vetë për tu përballur me drejtësinë dhe kanë kërkuar masa më të buta sigurie pasi sipas tyre nuk kanë rrezik ikje.

Gjithsesi, kjo kërkesë e tyre është rrëzuar nga GJJKO, ndërsa më herët avokatët kërkuan kohë të njihen me aktet.

Në seancën ku ishte i pranishëm si përfaqësues i Prokurorisë së Posaçme, drejtuesi i SPAK Altin Dumani, nuk është bërë me dije mënyra se si dy të shumëkërkuar iu dorëzuan autoriteteve shqiptare.
Ditën e djeshme u propagandua me të madhe nga kryepolici Muhamet Rrumbullaku, deportimi i Dervishajt dhe Maçajt nga Dubai, por deklarate e tyre ditën e sotme ngre dyshime nëse kemi të bëjmë me një marrëveshje mes shtetit shqiptar dhe autoriteteve të Emirateve Arabe apo me një kërkesë të tyre për të ardhur në Shqipëri.

Autoritetet shqiptare deri më sot nuk kanë arritur të ekstradojnë asnjë person nga Emiratet e Bashkuara Arabe, teksa vlen për t’u përmendur se në Dubai qëndrojnë të qetë shumë personazhe të njohur të botës së krimit në vendin tonë.

Përveç Derivshajt dhe Meçajt, i vetmi person i cili është deportuar më herët nga Dubai ka qenë Bruno Çobo, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që përfitoi 4.7 milion euro nëpërmjet skemave të mashtrimit në Call Center. Por, sërish, edhe deportimi i tij u krye vetëm pas dëshirës dhe kërkesës së tij për të ardhur në Shqipëri.

Plarent Dervishajt dhe Julian Meçaj konsiderohen si dy persona me rrezikshmëri shoqërore të botës së krimit në vendion tonë, teksa akuzohen nga SPAK për veprat penale “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Më konkretisht, Plarent Dervishaj akuzohet për ngjarjen e ndodhur më 26 shkurt të vitit 2005 në Durrës, ku në bashkëpunim me Indrit Taullaun, Lulzim Berishën  dhe Luftar Reçin dyshohet se kanë vrarë me armë zjarri Klodian Saliun.

Po ashtu, edhe për ngjarjen e regjistruar më 27 shkurt të vitit 2005 në Durrës në kuadër të grupit të organizuar kriminal, në bashkëpunim me subjekte të tjerë të hetuar, përkatësisht Emiliano Shullazin, Indrit Taullaun, Lulzim Berishën, etj., dyshohet se kanë vrarë me eksploziv Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi. Gjithashtu, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj ishin shpallur në kërkim nga SPAK edhe si organizatorët e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj më 1 nëntor të vitit 2019 tek mbikalimi i Shkozetit, i cili ndodhej në makinë bashkë me Aleksandër Lahon alias Pëllumb Muharremi, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, ku në atë ngjarje humbi jetën shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku.

Sipas autoriteteve, Julian Meçaj, nga hetimet është identifikuar si një nga autorët, duke e kryer këtë krim në bashkëpunim me shtetas të tjerë, duke përfshirë dhe Ramazan Rrajën. Plaurent Dervishaj është kunati i Lulzim Berishës, ndërsa Julian Meçaj konsiderohej si numri dy i bandës së Durrësit pas Lulzim Berishës. Të dy ata i shpëtuan një tentati me armë zjarri në Durrës më 20 qershor të vitit 2019 dhe dyshohet se më pas u hakmorën ndaj “Rrumit të Shijakut”./tpz

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne