KARTA E FUNDIT E NJË NJERIU QË KA HUMBUR ARSYEN

Agim Kasemi

Sot, në ditën e nëntë të protestave, Edi Rama ka mbushur Bulevardin e Tiranës me flamuj izraelitë.

Jo rastësisht. Jo si solidaritet. Si provokacion të llogaritur.

Pyetja nuk është “pse flamuri izraelit?” — pyetja është pse sot, pse këtu, pse tani? Pikërisht në ditën kur mijëra qytetarë shqiptarë, muslimanë, të krishterë, besimtarë dhe ateistë janë në rrugë për të mbrojtur tokën, natyrën dhe dinjitetin e tyre. Një njeri në pozitën e kryeministrit nuk bën aksione të tilla pa i matur pasojat. Ose i mat dhe i dëshiron.

Ky nuk është akt shteti. Është kurthë.

Rama e di shumë mirë se flamuri izraelit, në kontekstin e sotëm të luftës në Gazë, është ndër simbolet më polarizuese në botë. Ta varësh atë sot, në bulevardin ku kalojnë protestuesit, është si të hedhësh shkrepëse pranë barutit dhe të pretendosh se je duke ndriçuar rrugën.

Nëse ndodh diçka — nëse provokohеt dikush, nëse shpërthen dhuna, Rama do të ketë justifikimin:”Shikoni kush janë, janë antisemitë, janë ekstremistë, janë kundër Perëndimit.” Dhe me një lëvizje, do të përpiqet të zhvendosë vëmendjen ndërkombëtare nga Zvërneci, nga tokat e vjedhura, nga resorti i Kushnerit, nga 9 ditë protesta të ndershme qytetare.

Kjo është “regji”, jo qeverisje.

Një kryeministër që i frikësohet popullit të vet nuk mbron interesat kombëtare, mbron fronin e vet. Dhe kur froni lëkundet, njeriu i tillë bën çmos. Instrumentalizon simbole. Luan me ndjenjat fetare. Provokon për të frikësuar. Frikëson për të ndalur.

Por Shqipëria e 2026-ës nuk është Shqipëria e 1997-ës.

Qytetarët që sot janë në rrugë nuk mbajnë armë, mbajnë flamurin kuqezi dhe ndërgjegjen e lirë. Dhe pikërisht kjo e tmerron Ramën më shumë se çdo gjë tjetër.

Edi Rama është personalisht përgjegjës nëse sot, për shkak të kësaj provokacioni të llogaritur, ndodh edhe një pikë gjak shqiptari. Historia nuk fal. Populli nuk harron.

Shqipëria nuk shitet. As me 4 miliardë dollarë. As me flamuj të huaj varur mbi kokën e protestuesve.

 

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne