Shkruan: Salim Kadri Kerimi, historijan – diplomat në pension
“Nëse SHBA-të do të sulmonin një shtet tjetër anëtar të NATO-s, kjo do të nënkuptonte fundin e kësaj aleance ushtarako – politike”
Deklaratat dhe kërcënimet e përsëritura të administratës amerikane, të udhëhequr nga presidenti Donald Trump, lidhur me mundësinë që SHBA-të ta aneksojnë Grenlandën, përbëjnë një paradoks serioz politik dhe të sigurisë brenda sistemit euroatlantik të mbrojtjes. Edhe pse një pjesë e këtyre deklaratave shpesh interpretohen si teprime retorike ose si element presioni politik, përmbajtja e tyre thelbësore hap pyetje themelore mbi kredibilitetin, kohezionin dhe vetë ekzistencën e Aleancës së NATO-s.
Pikërisht për këtë arsye, vlerësimi i paradokohshëm i kryeministres së Danimarkës, Mette Frederiksen, se “nëse SHBA-të do të sulmonin një anëtar tjetër të NATO-s, kjo do të nënkuptonte fundin e kësaj aleance ushtarako-politike”, duhet të shërbejë si një paralajmërim serioz për SHBA-të, përkatësisht për presidentin Donald Trump, që të mendojë mirë para se të ndërmarrë çfarëdo veprimi eventual drejt një aneksimi të mundshëm të territorit të cilitdo shtet sovran, e veçanërisht të një vendi anëtar të NATO-s, siç është edhe Danimarka.
Grenlanda prej shekujsh është territor autonom në përbërje të Mbretërisë së Danimarkës – një shtet sovran dhe anëtar i plotë i NATO-s që nga viti 1949 – ndërsa populli danez bën pjesë në popujt skandinavë dhe evropianë paqedashës. Për rrjedhojë, çdo formë kërcënimi, presioni apo, në instancën e fundit, ndërhyrjeje ushtarake ndaj Grenlandës, de facto përbën kërcënim ndaj integritetit territorial të një anëtari sovran dhe paqedashës të NATO-s nga ana e një tjetër anëtari të po kësaj aleance. Ideja e aneksimit apo marrjes me forcë të territorit të një shteti tjetër është absurde nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare, por edhe më absurde nga logjika e NATO-s si sistem i sigurisë kolektive.
Neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut përcakton qartë se një sulm i armatosur kundër një ose më shumë anëtarëve të aleancës do të konsiderohet si sulm kundër të gjithëve. Ai përbën thelbin e konceptit të mbrojtjes kolektive dhe bazën e besimit të ndërsjellë ndërmjet aleatëve. Prandaj, në kontekstin e një ndërhyrjeje hipotetike amerikane ndaj Grenlandës, lind një dilemë thelbësisht e pazgjidhshme juridike dhe politike: a do të kishte Danimarka të drejtën të thirrej në nenin 5 kundër SHBA-ve? dhe a do të ishin anëtarët e tjerë të gatshëm të reagonin kundër forcës udhëheqëse të aleancës? Vetë parashtrimi i këtyre pyetjeve tregon se një zhvillim i tillë do ta çonte NATO-n drejt një kolapsi institucional.
Nëse kërcënimet do të realizoheshin realisht, pasojat për NATO-n do të ishin katastrofike. Kjo sidomos duke pasur parasysh se NATO nuk është “dizajnuar” për të zgjidhur konflikte ndërmjet anëtarëve të saj, e aq më pak një konflikt të armatosur të shkaktuar nga anëtari më i fuqishëm kundër një shteti aleat më të vogël. Mbrojtja kolektive funksionon ekskluzivisht mbi bazën e besimit. Nëse një anëtar mund ta kërcënojë territorin e një tjetri pa pasoja, atëherë neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut shndërrohet në një garanci simbolike dhe jo reale.
Aleanca e NATO-s e justifikon rolin e saj përmes thirrjes në të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve. Një agresion i mundshëm ndaj Grenlandës – pjesë përbërse e Danimarkës do ta privonte aleancën nga çdo kredibilitet moral dhe politik. Anëtarët e vegjël dhe të mesëm do të fillonin seriozisht ta vënë në pikëpyetje kuptimin e anëtarësimit në një aleancë që nuk është në gjendje t’i mbrojë nga kërcënimet e brendshme. Një akt i tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, Rusia, Kina dhe aktorë të tjerë globalë do të fitonin edhe një argument më shumë se rregullat e rendit ndërkombëtar zbatohen në mënyrë selektive, gjë që do ta gërryente edhe më tej sistemin tashmë të brishtë të sigurisë globale.
Prandaj, kërcënimet për aneksimin e Grenlandës nuk janë vetëm diplomatikisht të papërshtatshme apo politikisht kontroverse; ato janë thelbësisht destruktive për vetë Aleancën e NATO-s. Nëse do të realizoheshin, NATO nuk do të përballej thjesht me një krizë, por me pyetjen e ekzistencës së saj. Në një skenar të tillë, aleanca do të pushonte së qeni një mekanizëm i mbrojtjes kolektive dhe do të shndërrohej në një formë institucionale boshe, të zhveshur nga përmbajtja, besimi dhe legjitimiteti.
Realizimi i mundshëm i kërcënimeve të paralajmëruara nga administrata amerikane njëkohësisht do t’i vendoste në një pozitë të pafavorshme edhe shtetet që pa rezerva i mbështesin veprimet e presidentit Donal Trump, pavarësisht nëse ato kanë qenë apo janë gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare apo jo. Fakti që Deklarata e Përbashkët e 6 janarit 2026 u publikua në emër të përfaqësuesve të vetëm gjashtë vendeve anëtare të BE-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar, nëse nuk gaboj, përbën një sinjal shqetësues – një lloj paralajmërimi për një përçarje të mundshme ndërmjet vetë vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s lidhur me një çështje thelbësore parimore, rreth së cilës nuk duhet dhe nuk mund të ketë dykuptimësi.
















