Kërkoi mbi 90 dëshmitarë në procesin “Gërdeci”, Mediu tregon arsyen: T’i shkohet deri në fund të vërtetës!

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka sqaruar se përse ka kërkuar që të ketë 90 dëshmitarë, përfshirë zyrtarë shqiptarë e të huaj, në gjyqin për çështjen “Gërdeci”. Kreu i PR-së tha se të vërtetës i duhet shkuar deri në fund, ndërsa shton se akuzat ndaj nuk janë të pavërteta.

“Ne kërkuam gjykim të shkurtuar bazuar në elementin e kodit penal, që është parashkrim, i cili vendimi i gjykatës për të mos e vlerësuar është absurd për ne dhe kjo tregon një proces të parregullt… Kjo është çështja e parë, ka apo jo proces. Nuk e kërkuam me idenë për të kërkuar ulje, sepse fajësia për mua është njësoj për një gjë që nuk e kam kryer. E dyta, kam kërkuar që të vërtetës t’i shkohet deri në fund. E treta është që të kuptohet edhe loja politike që është bërë  duke përdorur familjarët e viktimave, që kanë të gjithë të drejtën e botës të ngrenë pretendime, por të shkojë përfaqësuesi i tyre dhe të kërkojë gjykim të gjykuar, është absurde…

Nuk janë 90, janë më shumë. Të gjithë ata që janë në proces hetimi që kanë qenë dëshmitarë etj, kjo çështje po fillon të gjykohet nga e para. Po pse? Sepse fabula e parë ishte që demontimi u bë për përfitim ekonomik, që është e pavërtetë. Ka qenë detyrim. Departamenti amerikan i mbrojtjes ka bërë një vlerësim në 2006, 2008 dhe zv. Sekretari amerikan i mbrojtjes ka qenë i përfshirë në marrëdhënien e Shqipërisë, në marrjen e ftesës së NATO. Ekipet amerikane kanë qenë asistencë e përditshme. Për të sqaruar një herë e mirë këtë ngrehinë propagandistike duke e konsideruar si autoritet ushtarak ministrin, me akuza tërësisht të pavërteta. Ajo që ka qenë më absurde është akuza që ministri ka shmangur Forcat e Armatosura, as e kam bërë asnjëherë të vetmet, i kam respektuar si në aspektin profesional dhe njerëzor.

Vendimet e gjykatave e kanë përjashtuar ministrin nga shpërthimi. Unë akuzohem se nuk kam respektuar marrëveshjen e stabilizim asocimit, e cila ka hyrë në fuqi një vit më vonë. Akuzohem se kam zgjedhur kompaninë, që nuk është e vërtetë. Tre urdhrat e parë të ministrit janë çmuar nga gjykata si të ligjshëm”, tha ai ndër të tjera./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne