Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR) pohon se presidenti amerikan Joe Biden është “kriminel lufte”, pasi ka vendosur t’i sigurojë armë Izraelit, pavarësisht mospërmbushjes së kërkesës së SHBA-së për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.
Në njoftimin e bërë nga CAIR thuhet se veprimet e Bidenit janë të barasvlefshme me të qenit bashkëpunëtor në krimet e luftës. “Financimi i vetëdijshëm i krimeve të luftës duke i shkelur ligjet e SHBA-së si dhe të drejtën ndërkombëtare ju bën juve kriminel lufte”, thuhet më tej.
“Ne dënojmë fuqishëm vendimin e presidentit Biden për të vazhduar furnizimin e paligjshëm të armëve vdekjeprurëse për qeverinë izraelite edhe pasi administrata e (kryeministrit izraelit) Benjamin Netanyahu shkeli afatin 30-ditor për Izraelin për të ndaluar urinë në Gaza”, thekson njoftimi i CAIR.
– SHBA i kishte dhënë afat Izraelit të përmirësojë kalimet e ndihmave humanitare në Gaza
Në letrën e 13 tetorit të dërguar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, drejtuar homologëve të tyre izraelitë, “SHBA-ja i bëri thirrje Izraelit të përmirësojë kushtet humanitare në Gaza brenda 30 ditëve ose të vuajë pasojat”.
Letra numëronte kërkesa specifike, përfshirë hyrjen e të paktën 350 kamionëve me ndihma në Gaza në ditë dhe mosmiratimin e një ligji të diskutueshëm që do të ndalonte të gjitha aktivitetet e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në Izrael dhe territoret e pushtuara.
Tetë organizata të ndihmave humanitare, përfshirë “Anera” dhe “Oxfam”, njoftuan në raportin e tyre të publikuar më 12 nëntor se Izraeli nuk e përmbushi kërkesën e SHBA-së për të lejuar më shumë ndihma humanitare për të hyrë në Gaza.
Pavarësisht dështimit të Izraelit për të zbatuar masat për të lehtësuar krizën humanitare në Rripin e Gazës, Departamenti amerikan i Shtetit në një deklaratë më 12 nëntor tha se nuk kishte asnjë ndryshim të politikës./AA