Klubi i Gostivarit dhuron donacion për Palestinën

Futbollistët dhe stafi teknik i klubit Gostivari nga Liga e Parë e Maqedonisë së Veriut, mblodhën donacione si pjesë e mbështetjes dhe solidaritetit për Palestinën. Ndërmjet Klubit të Gostivarit, i cili bën përgatitjet e pjesës së dytë në Qendrën Turistike Belek të Antalya-s, dhe Fondacionit Rinor Turk (TUGVA), u nënshkrua një protokoll bashkëpunimi për fushatën e donacioneve për Palestinën.

Duke folur në programin e organizuar nga Përfaqësia Provinciale e TUGVA-s në Antalya, në hotelin ku është kampi i ekipit, kapiteni i ekipit Alper Potuk tha se ata filluan një fushatë solidariteti për fëmijët palestinezë me sloganin “Çdo tifoz futbolli edhe filantropist”.

Duke deklaruar se Izraeli vazhdon të vrasë njerëz të pafajshëm dhe fëmijë në Palestinë, ish-futbollisti i Fenerbahçes, Potuk tha: “Unë jam një futbollist, ne jemi një ekip futbolli. Ne stërvitemi dhe luajmë ndeshje futbolli këtu. Megjithatë, jemi të mërzitur. Sepse teksa ne jemi duke bërë punën tonë normale këtu dhe duke vazhduar jetën tonë normale, lufta vazhdon në Palestinë dhe mijëra fëmijë po vriten. Si çdo njeri i ndërgjegjshëm, ne duam që fëmijët të luajnë futboll në rrugë, jo të vdesin në luftëra. Si Klub i Gostivarit, donacionet e mbledhura i dërgojmë në TÜGVA në mënyrë që ato t’u dorëzohen vëllezërve tanë palestinezë. Shpresojmë se luftërat do të përfundojnë si në Palestinë ashtu edhe në botë dhe paqja do të mbizotërojë.”

Nënkryetari i TUGVA-s, Bahadır Yılmaz, u shpreh se shteti terrorist i Izraelit, duke shpërfillur ligjin ndërkombëtar, vazhdon çdo ditë sulmet e tij të neveritshme dhe të papajtueshme me dinjitetin njerëzor.

“Ne do të jemi një shpresë për vëllezërit dhe motrat tona të shtypura palestineze me këtë sjellje shembullore e cila tregon se futbolli nuk është vetëm një sport, se mirësia është e mundur edhe përmes sportit. Shpresojmë që klubet sportive të vendit tonë, nën udhëheqjen e federatës sonë të futbollit, do të tregojnë të njëjtën ndjeshmëri ndaj Palestinës”, tha ai.

Përfaqësuesi provincial i TUGVA-s në Antalya, Mert Topcuoğlu, tha se ata do të vazhdojnë të flasin mbi të drejtat dhe të mbrojnë popullin e shtypur dhe të nderuar palestinez në çdo platformë.

Pas fjalimeve, futbollistët dhe stafi teknik i dhuruan zarfet në kutinë e dhurimeve të vendosur në sallë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne