Komisari Evropian për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič, ka paralajmëruar se situata aktuale katastrofike në Rripin e Gazës kërcënon të përkeqësohet. Duke folur me gazetarët turq në Bruksel, Lenarčič theksoi nevojën për një armëpushim në konfliktin e vazhdueshëm në Gaza për hyrjen e ndihmave humanitare në enklavën palestineze derisa ajo përballet me bombardimet, bllokadat dhe sulmet tokësore izraelite.
“Përndryshe, katastrofa në Gaza mund të kthehet në apokalips”, tha Lenarcic.
Ai theksoi se që nga fillimi i konfliktit, vetëm 500 kamionë me ndihma kanë hyrë në Gaza. Ai shtoi se kjo ishte sasia që Gaza merrte çdo ditë para se të fillonte konflikti aktual.
Si e tillë, theksoi Lenarčič, nevojitet një pauzë prej të paktën disa ditësh për të ri-furnizuar Gazën me ndihma humanitare.
Ai theksoi se karburanti në veçanti është shumë i nevojshëm në Gaza.
“Furrat e bukës, pompat e ujit, spitalet nuk mund të funksionojnë pa karburant. Është gjithashtu shumë e nevojshme për shoqatat humanitare dhe punonjësit e tyre atje”, tha Lenarčič.
Rripi i Gazës ka qenë nën bombardime të rënda që kur grupi i rezistencës palestineze Hamas nisi një ofensivë të papritur kundër Izraelit në fillim të muajit të kaluar.
Të paktën 10.328 palestinezë, përfshirë 4.237 fëmijë dhe 2.719 gra, janë vrarë në konfliktin aktual. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është gati 1.600./AA