Shqiperia

Koncesionet/ Basha tregon masat e PD: Do jeni subjekte të ndjekjes anti mafia

Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur me tone të prera dhe të ashpra për dy koncesionet që pritet të kalojnë sot në Kuvend, atë të Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Disa herë Basha dha paralajmërime për deputetët që do të kalojnë ligjin, për kompanitë që kanë marrë përsipër këto rrugë, drejtuesit dhe juristët e tyre por edhe bankat që do të pranojnë t’u japin kredi.

Kreu i PD  tha se ditën e nesërme ANK dhe Gjikuria do të paralajmërohen zyrtarisht me letër nga PD në emër të opozitës së bashkuar për të gjithë pasojat penale dhe kriminale për ta dhe çdo person privat të kompanive të tyre.

“Alternativa që kemi përpara është shpëtimi i tyre duke ndëshkuar Shqipërinë apo ndëshkimi i tyre duke shpëtuar shqiptarët. PD dhe opozita e bashkuar e kanë bërë zgjedhjen e tyre. Ne jemi në krahë të shqiptarëve për të shpëtuar vendin dhe për të ndëshkuar këtë bandë hajdutësh dhe kriminelësh. Ditën e nesërme ANK dhe Gjikuria do të paralajmërohen zyrtarisht me letër nga PD në emër të opozitës së bashkuar për të gjithë pasojat penale dhe kriminale për ta dhe çdo person privat të kompanive të tyre, nga pronari dhe drejtuesit deri tek juristët e kompanisë si subjekte të ligjit të forcuar antimafia, ditën e parë që PD dhe opozita e bashkuar do të marrin përgjegjësitë e qeverisjes në vend. Një letër e ngjashme do t’i dërgohet të gjitha bankave të nivelit të dytë pa përjashtim për t’i paralajmëruar se çdo financim, kredi apo garanci bankare dhënë këtyre koncesioneve do t’i bëjë këto banka automatikisht subjekte të ndjekjes anti mafia, do t’i vendosë ato menjëherë në vëmendjen e përditshme të opozitës sot dhe të qeverisjes së nesërme në bashkëpunim me SPAK, BKH dhe institucionet e tjera ligjzbatuese të Shqipërisë dhe vendeve partnere. Ndërkohë ora po afron, ekziston dhe një mundësi e fundit për ata individë që ndiejnë sadopak përgjegjësi para fëmijëve të tyre, para  prindërve të tyre pensionistë dhe para çdo qytetari që të refuzojnë votimin e këtyre dy grabitjeve spektakolare që të mos bëhen pjesë e vjedhjes me ligj, përndryshe i pret i njëjti fat si padronin e landfillit dhe përfituesin kryesor të kësaj vjedhjeje me ligj, grabitësin e hajdutin psikik, Edi Ramën dhe bandën e tij të oligarkëve dhe klientëve të tij të babëzitur”, deklaroi Basha./balkanweb

OPINIONE