Kosova bëhet anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, Dren Doli, dorëzoi instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) me seli në Hagë, gjë e cila shënon hapin përfundimtar të Kosovës si anëtare në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, transmeton Anadolu.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës për dorëzimin e instrumenteve për aderimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, zëvendësministri Ahmeti falënderoi Drejtorin e Divizionit të Traktateve, Jules van Eijndhoven, për rolin konstruktiv të Qeverisë së Mbretërisë së Holandës, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Njëkohësisht, Ahmeti falënderoi zyrtarët e pranishëm të ICMP-së për angazhimin dhe kontributin e tyre shembullor në Kosovë për më shumë se dy dekada. Ahmeti njëherësh përsëriti përkushtimin e Kosovës në promovimin dhe avancimin e rolit të kësaj organizate të shprehur në takimin me Drejtoren Ekzekutive të Komisionit, Kathryne Bomberger, të mbajtur në maj të këtij viti, me ç’rast Komisioni ishte njoftuar për hapat që Kosova kishte ndërmarrë për t’u bërë pjesë e kësaj organizate.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është organizatë ndërqeveritare e themeluar në vitin 1996, e cila adreson çështjen e personave të zhdukur në rrethana të konflikteve të armatosura, shkeljes së të drejtave të njeriut, fatkeqësive natyrore, krimit të organizuar, migrimit ilegal etj.

Komisioni ka selinë në Holandë, në qytetin e Hagës, dhe është e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ka qenë i angazhuar intensivisht edhe në Kosovë, përgjatë dhe pas luftës së fundit, duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme në procesin e identifikimit e mbetjeve mortore përmes përdorimit të metodave shkencore të identifikimit.

Që nga paslufta e vitit 1999 në Kosovë vazhdon të mos dihet fati i mbi 1.600 personave/AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne