Kosovë, ministri i brendshëm lidh shpërthimin e fundit në veri me arrestimin e tre serbëve për krime lufte

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka ndërlidhur hedhjen e granatës së dorës në veri të Mitrovicës në orët e mesnatës me arrestimin e kësaj jave nga Policia e Kosovës të tre qytetarëve serbë të dyshuar për krime lufte, transmeton Anadolu.

Në një reagim në rrjetet sociale, Sveçla tha se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund, ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë.

Ai tha se nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës, pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar tre qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë, derisa të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës.

“Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve”, shkroi Sveçla.

Ministri kosovar ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se është “inspirues, mbështetës dhe urdhërdhënës për këtë akt kriminal”.

“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Serbia me në krye Vuçiqin, jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës”, ka shtuar ai.

Në fund, Sveçla tha se Kosova “do të jetë shtet i së drejtës, i qytetarëve të barabartë ku barazia dhe prosperiteti do të garantohen për të gjithë”.

Lidhur me këto arrestime të cilat u bënë me urdhër të Prokurorisë Speciale nga Policia e Kosovës më 20 shtator, reagoi partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, si dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Sipas tyre, arrestimet ishin të motivuara politikisht.

“Është e qartë se Kurti po vazhdon me planin e tij për ta përdorur dhunën dhe forcën për t’i zgjidhur çështjet e hapura politike dhe për t’i trajtuar serbët në Kosovë si pengje në procesin e negociatave”, është thënë në reagimin e Listës Serbe.

Ndërsa Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se këto arrestime janë bërë “me qëllim të shkaktimit të tensioneve dhe krizave të reja në terren”.

Tre të arrestuarve nga nacionaliteti serb u është caktuar masa e paraburgimit me nga një muaj./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne