Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se sistemi i Kombeve të Bashkuara (OKB) duhet të reformohet lidhur me mungesën e përfaqësimit kryesisht në të drejtën e vetos dhe lidhur me rolin në rritje të organizatave rajonale.
“Sot sistemi i OKB-së ka hyrë në një ngërç dhe pengohet nga forcat armiqësore. Duhet të vendosim sërish në binarë bashkëpunimin shumëpalësh”, tha Michel në një fjalim të mbajtur në Asamblenë e 78-të të Përgjithshme të OKB-së.
“Ky sistem duhet të riparohet”, theksoi Michel, i cili bëri thirrje për reformë në Kartën e OKB-së lidhur me tre çështje, për të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përfaqësimin në OKB dhe përfshirjen e organizatave rajonale të tilla si BE.
“E drejta aktuale e vetos është e hapur për abuzim. E bën të pafuqishëm Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Një prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit mund të shkelë hapur Kartën dhe ligjin tonë ndërkombëtar. Është edhe më tronditëse që ai ka të drejtën e vetos ndaj sanksioneve kundër vetes”, Michel.
“Karta e OKB-së përcakton se kur duhet të ketë shmangie nga votimi kur çështje e votimit është një prej anëtarëve të Këshillit të Sigurimit”, tha Michel duke shtuar: “U bëj thirrje anëtarëve tjerë të Këshillit të Sigurimit që të vendosin këtë pikë në zbatim se kur ajo mund të përfshijë Rusinë”.
Michel theksoi se BE-ja mbështet iniciativën e Francës dhe Meksikës, e cila synon të kufizojë të drejtën e vetos në rastet e “persekutimeve masive”. “Besoj se duhet të krijojmë mekanizëm që kombinon vendimmarrjen e shumicës dhe përdorimin e “moderuar dhe fleksibël” të drejtës së vetos”, deklaroi presidenti i Këshillit Evropian.
– Përfaqësimi dhe organizatat rajonale
Duke bërë të ditur se Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk pasqyron rendin aktual botëror, Michel tërhoqi vëmendjen se shumë rajone nuk përfaqësohen. “Mungesa e përfaqësimit të Këshillit të Sigurimit dëmton legjitimitetin e tij”, tha Michel.
“Një prej elementëve që do rrisin legjitimitetin e OKB-së do të jetë përfshirja e organizatave rajonale”, tha Michel i cili potencoi se “Përfshirja e këtyre do të krijojë një cikël të frytshëm. Do të kontribuojë në stabilitetin e tyre duke inkurajuar organizatat rajonale për të bashkëpunuar më mirë dhe më shumë me njëra tjetrën”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Michel informoi se së shpejti do të përpiqet të organizojë një samit mes BE-së, Unionit Afrikan, Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC) dhe Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së./AA