Krimi zgjedhor/ Policia kontroll fizik dhe banese për 5 persona, sekuestrohen fatura, kupona nafte dhe lista votuesish

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka ndërmarrë një operacion në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore, duke ekzekutuar urdhrin e Gjykatës së Posaçme për kontroll fizik dhe në banesat e pesë shtetasve të dyshuar.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me oficerët e BKH-së, në funksion të procedimit penal nr. 82 të vitit 2025.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan materiale të dyshuara si prova që lidhen me veprimtari të paligjshme zgjedhore:

Elvis Rroshi, 50 vjeç, banues në Kavajë: iu sekuestruan një telefon celular, fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish që u gjetën në një ambient në pronësi të tij.
Orges Sinella 38 vjeç, dhe Tak Rroshi, 44 vjeç, banues në Kavajë: iu sekuestruan telefonat celularë.

Tauland Hasa, 35 vjeç, banues në Qerret, Durrës: iu sekuestrua një telefon celular.

Mirel Sinella, 37 vjeç, banues në Kavajë: iu sekuestruan një pajisje DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër.

Të pesë shtetasit dyshohen për përfshirje në veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, ndërsa hetimet janë në vijim për dokumentimin e plotë të aktivitetit të tyre dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

 

Policia e Shtetit thekson angazhimin e saj për garantimin e integritetit të proceseve zgjedhore dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shitblerjes së votës apo presioneve elektorale.

Njoftimi: 

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerët e BKH-së, në funksion të procedimit penal nr. 82, i vitit 2025, ekzekutuan vendimin e datës 17.05.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kontrollin fizik dhe atë në banesat e 5 shtetasve.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit E. Rr., 50 vjeç, banues në Kavajë, iu bllokua telefoni celular, si dhe në një ambient në pronësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish.

Shtetasve O. S., 38 vjeç, T. Rr., 44 vjeç, të dy banues në Kavajë, dhe shtetasit T. H., 35 vjeç, banues në Qerret, Durrës, Policia u sekuestroi telefonat celularë. Ndërsa shtetasit M. S., 37 vjeç, banues në Kavajë, Policia i sekuestroi një DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër. Këta shtetas dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe hetimet në kuadër të procedimit penal vijojnë./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne