Rama tha se përmbytje të tilla kanë ndodhur në të gjithë Europën, ndërsa u shpreh se 10 vite më parë do të kishte pasur edhe më shumë përmbytje.
Kryeministri Edi Rama e konsideroi si kriminale hedhjen e mbeturinave në lumenj. Në podcastin ‘Flasim’ tha se hedhja e shisheve plastike apo qeseve në lumenjë e rrugë na përdhosim flamurin e Shqipërisë dhe atdheun tonë.
Rama tha se do të ketë masa ligjore ndaj atyre që vijojnë të hedhin mbeturinat, ndërsa premtoi dëmshpërblim për çdo të prekur nga përmbytjet.
Në këtë kuadër, Kryeministri tha se ka filluar të llogaritet vlera e dëmeve, sikundër do të ketë investime në infrastrukturën e dëmtuar si pasojë e përmbytjeve.
“Ti nuk do të jesh kurrë vetëm’ është motoja ime dhe e jona sa herë që përballemi me fatkeqësi. Të goditurit e kësaj fatkeqësia dua t’i them se qëndrojmë krah tyre për banesat dhe gjënë e gjallë, për rregullimin e çdo dëmi me të cilën përballemi. Është tashmë gati plani me skenarët për dëmshpërblimet dhe pritet nisja e shpërndarjes së tyre“, tha Kryeministri.
Rama tha se përmbytje të tilla kanë ndodhur në të gjithë Europën, ndërsa u shpreh se 10 vite më parë do të kishte pasur edhe më shumë përmbytje.
“Nuk ka prekur vetëm vendin tonë, të paktën jo për arsyet që ziejnë tenxheret mediatike, por një hartë të gjerë, deri në Stamboll ku kishte pamje apokaliptike.
Një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me një valë të ngrohtë nga Mesdheu që ka sjellë këtë situatë.
Ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm verë e nxehta, por edhe stinë të paqëndrueshme dhe mot këmbëngulës.
Më shumë zjarre dhe përmbytje, është tashmë një kuadrat i ri i klimës ku jetojmë, por jam krenar që në çdo situatë emergjence jemi më të përgatitur falë investimeve të bëra.
Kemi bërë investime në strukturën e Emergjencave Civile, që kanë përherë e më shumë mjete.
Jetojmë në një Shqipëri tjetër, sepse kjo vorbull do kishte shkaktuar më shumë përmbytje“, tha Rama.
Kryeministri tha se përmbytjet u shkaktuar jo vetëm nga sasitë e larta të reshjeve, por edhe nga sjellja e njerëzve në raport me natyrën.
“Përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh.
Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull!
Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë.
Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, krim”, tha Rama. /Pamfleti/















