KRIZA IDENTITARE E HIPOKRITËVE TË “SHQIPTARIZMIT”

Nga Xhafer Sadiku
Rënia nga pushteti e Partisë së Punës të Shqipërisë (PS) më 1992 shkaktoi edhe krizën më të rëndë të elitës kulturore të regjimit: i kishin shërbyer tërë jetën me devotshmëri Partisë dhe Enver Hoxhës e brenda pak ditëve veprat e tyre përfunduan në kosh të plehrave. Kishin formuar identitetin e tyre politik si komunistë e ateistë dhe brenda pak javëve u katandisën rrugëve, të poshtëruar e të përbuzur. I kishin kënduar tërë jetën Partisë dhe luftës së klasës e asnjëherë atdhetarizmit e shqiptarizmit. I kishin kënduar qenit ushtar dhe kishin përbuzur dhe urryer ata që ishin vrarë në telat me gjemba. U kishin ngritur përmendore vrasësve dhe tani statujat e tyre po ua hidhnin kanaleve. E njëjta dukuri u vrejt edhe me elitën titiste në Kosovë dhe viset shqiptare nën Jugosllavi.
Më i famëshmi prej tyre e kishte nuhatur situatën dhe ishte larguar jashtë atdheut, duke pritur ditë më të mira. Ai e dinte çfarë donin tutorët e tij në Perëndim. Ateisti i djeshëm që i kishte kënduar tiranisë komuniste dhe kishte ndihmuar partinë për formimin e “njeriut të ri”, tashmë u bënte thirrje shqiptarëve të konvertoheshin në fenë e Romës. Por shqiptarët nuk e dëgjuan, madje e injoruan.
Elita kulturore e regjimit komunist, si një lloj garde pretoriane, nuk u dekurajua por shtërngoi radhët dhe me rikthimin në pushtet, u vunë tërësisht në shërbim të qendrave anti-islame dhe antishqiptare në Perëndim.
Konservatorët në përgjithësi janë besimtarë dhe politikisht të djathtë, prandaj dhe lufta kundër tyre është intensifikuar. Ditëve të fundit kanë shpallur një “lëvizje” ku ftojnë besimtarët myslimanë për braktisjen masive të Islamit. Pjesëmarrja në këtë “lëvizje” e ish këshilltarit të Ibrahim Rugovës tregon qartë se kush është nxitësi i kësaj “lëvizje”.
Autorët e këtyre “ideve” të marra që kanë dështuar njëqind e ca vite më parë, do të dështojnë se krizën e tyre të identitetit nuk e shkarkojnë dot tek shqiptarët. Shqiptarët myslimanë janë po aq shqiptarë sa edhe bashkë-kombasit e tyre ortodoksë, katolikë, apo laikë. Hoxhallarët dhe priftërinjë shqiptarë janë të nderuar pasi predikojnë norma morale që enveristo-titistëve u mungojnë.
Aventurierët mjeranë nuk kanë sy të shikojnë injorimin që po u bëjnë të rinjtë. Nuk jemi më 1967 dhe të rinjtë nuk janë të helmuar nga ideologjia komuniste dhe ateiste e urrejtjes kundër fesë. Të rinjtë shqiptarë nuk vuajnë nga kompleksi i inferioritetit përballë të huajve, si këta sharlatanë./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne