Kryebashkiaku i Londrës: Muslimanët e Britanisë janë të shqetësuar për ofensivën izraelite në Rafah

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan ka deklaruar se komuniteti musliman i Mbretërisë së Bashkuar është i shqetësuar se çfarë do të ndodhë nëse trupat izraelite hyjnë në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës, një nga strehët e fundit për qindra mijëra palestinezë në enklavën e rrethuar.

“Duhet shpallur armëpushim emergjent”, tha Khan duke theksuar se mbi 30 mijë civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë deri më tani nga Izraeli gjatë ofensivës 5-mujore.

Duke folur për mediat gjatë ndriçimit të rrugës “Coventry” me drita për muajin e Ramazanit, Khan tha: “Veprimet e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar nuk kanë qenë mjaft të mira. Rushi Sunak thotë se ai është aleat i ngushtë i Benjamin Netanyahu-t. Ku janë provat e ndikimit mbi aleatin e ngushtë”.

Liderët botërorë dhe grupet humanitare kanë paralajmëruar për katastrofë humanitare nëse Izraeli fillon ofensivë në shkallë të plotë në Rafah, një qytet ku Izraeli u tha palestinezëve të shkojnë për të ikur nga sulmet në veri të enklavës.

Për sulmin e befasishëm të 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, Khan tha: “Po, ishte gabim dhe është e gabuar ajo që ndodhi më 7 tetor. Por, është gjithashtu e gabuar ajo që kemi parë në lidhje me veprimet e qeverisë izraelite”.

Ai theksoi se mbi 30 mijë burra, gra dhe fëmijë kanë humbur jetën dhe se duhet të ketë armëpushim të menjëhershëm. “Në të gjithë globin, muslimanët do të agjërojnë dhe do të falen (gjatë Ramazanit). Ata do të japin para për bamirësi. Kjo është koha që më në fund të ndodhë armëpushimi”, tha ai.

– Rruga e famshme stoliset me dritat e Ramazanit

Rruga “Conventry”, një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit, këtë vit për herë të dytë është zbukuruar me drita për muajin e Ramazanit. Shënimet “Gëzuar Ramazanin” ndriçonin përgjatë rrugës, e cila është magnet për turistët nga e gjithë bota.

Ndriçimi u përgatit nga grupi jofitimprurës “Ramadan Lights UK”, një grup që synon të përhapë informacione rreth Ramazanit. Kombinimi i dritave të Ramazanit, i bërë me donacione nga organizatat muslimane dhe publiku, u përgatit nga Ayşe Desai, e cila u frymëzua nga dritat e Krishtlindjeve. Vizitorët e huaj dhe londinezët treguan interes të madh për ekspozimin e veçantë të ndriçimit. Dritat do të qëndrojnë të ndezura deri më 12 prill, kur muaji i Ramazanit të përfundojë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne