Kryeministri Albin Kurti refuzon sërish të paraqitet për intervistim në Prokurori

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale të martën në orën 10, sipas orarit të paracaktuar, pavarësisht se për një gjë të tillë ka pasur ftesë për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

Kurti i cili gjatë kësaj kohe mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të një kopshti për fëmijë në Komunën e Gjilanit, nga aty tha se është i gatshëm të dëshmojë në rastin e rezervave shtetërore në Kryeministri dhe i ftoi sërish hetuesit e Prokurorisë Speciale që të shkojnë në zyrën e tij.

Gjykata Themelore në Prishtinë konfirmoi ditë më parë se ka lëshuar urdhër që obligon kryeministrin Kurti të japë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit, në një rast që ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Në dhjetor të vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës e ftoi Kurtin dy herë që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit. Zyra e Kryeministrit njoftoi të premten se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që ta detyrojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kryeministrit brenda zyrës së tij në qeveri.

“Unë asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të jap dëshmi apo se refuzoj të jap dëshmi. Përkundrazi, kam thënë se jam jo vetëm i gatshëm, por edhe i interesuar që të dëshmoj. Unë e mirëpres Prokurorinë e Shtetit në Zyrën e Kryeministrit”, tha Kurti në Gjilan.

Ai tutje tha se ka pasur raste edhe në të kaluarën kur prokurorët, hetuesit kanë shkuar në Kryeministri “për kryeministra, madje jo vetëm si dëshmitarë, por edhe si të pandehur”.

Kurti tha se Prokuroria po e lufton Qeverinë. Për këtë gjë, pas deklarimit të kryeministrit, ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Këto institucione thanë se deklarimet e Kurtit përbëjnë vetëm pikëpamje dhe botëkuptime që ka ai për sundimin e ligjit, derisa shtuan se deklaratat e tilla dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve. Këto institucione thanë se ligji s’mund të zbatohet dhe interpretohet “sipas shijeve të kryeministrit”.

Prokuroria Speciale e kishte ftuar së pari më 10 dhjetor 2024 kryeministrin në detyrë për të dhënë dëshmi brenda këtij institucioni më datën 16 dhjetor 2024 dhe pas kësaj date edhe dy herë të tjera. Kurti nuk i është përgjigjur këtyre ftesave, duke u deklaruar se është i gatshëm të japë dëshmi, por ka theksuar se prokurorët mund ta intervistojnë në zyrën e tij, një praktikë që, sipas tij, është ndjekur edhe më parë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është i thirrur si dëshmitar në lëndën që ka të bëjë me veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, apo më konkretisht me rezervat shtetërore, ku janë të përfshirë si të dyshuar një afarist dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne