Kryeministri ngacmon sedrën e prekur të emigrantëve, Berisha josh Athinën për votat e minoritetit

Në prag të zgjedhjeve të 11 Majit po bëhet e qartë se Sali Berisha dhe Edi Rama po ndjekin strategji të ndryshme në raport me Greqinë, por me të njëjtin objektiv: votat.

Berisha po i shkel syrin Athinës me premtime të ëmbla për një marrëveshje të dytë për kufijtë detarë, respektim të të drejtave të minoritetit simbol të të cilëve ka pranuar Fredi Belerin dhe duke paralajmëruar një ndryshim në marrëdhënien me Erdogan.

Nga ana tjetër, Edi Rama, i ndërgjegjshëm për marrëdhënien e krisur me Athinën ka vënë bast tek ndërgjegjia e plagosur e emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilën e ngacmon me fjalime patetike për dinjitetin e tyre të nëpërkëmbur dhe historinë e Shqipërisë. Të dy palët, ndërkohë po bëjnë kalkulimet e tyre të ftohta për të tërhequr sa më shumë vota.

“Miqtë” e Berishës në Athinë dhe kthimi i marrëveshjes së detit

Marrëveshja për të kandiduar Fredi Belerin në zgjedhjet lokale të vitit 2023 dhe historia që pasoi, marrja peng në Himarë dhe dënimi me 2 vjet burg përmes një procesi fiktiv, vetëm sa e forcuan aleancën mes Partisë Demokratike dhe minoritetit grek, që garanton edhe përkrahjen e Athinës për opozitën në 11 maj.

Në intervistën e tij për median greke Enikos, Sali Berisha dërgoi disa mesazhe të qarta drejt Athinës, duke e pozicionuar veten si një alternativë më të favorshme për Greqinë se sa Edi Rama. “Zgjidhja e Marrëveshjes së detit, rikthimi dhe vendosja e kësaj marrëveshje për zgjidhje është një nga objektivat e mia,” deklaroi ai, duke e bërë të qartë se një qeveri e tij do të ishte shumë më e hapur për ta rikthyer këtë çështje në tryezë, pas bllokimit që i bëri Gjykata Kushtetuese në 2009 marrëveshjes së parë.

Përveç kufijve detarë, Berisha premtoi gjithashtu një qasje ndryshe ndaj minoritetit grek në Shqipëri, duke siguruar se qeveria e tij do të mbrojë të drejtat e tyre dhe do të garantojë pronat e tyre në jug. “Akti i parë që do të bëj, do të anuloj ligjin e investimeve strategjike, ligj me të cilin qeveria grabit tokat e cilitdo,” tha ai, një mesazh i drejtpërdrejtë për Athinën që ka qenë veçanërisht kritike ndaj mënyrës se si qeveria shqiptare ka trajtuar pronat e minoritetit grek.

Por nëse ka një çështje që Greqia e ndjek me lupë, është ajo e Fredi Belerit. Berisha ka premtuar se një rast si ai i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës nuk do të ndodhë më. “Nuk mund të imagjinohet në një vend demokratik që t’i merret mandati cilitdo për përkatësinë e tij etnike,” deklaroi ai, duke u përpjekur t’i japë garanci Athinës se me të në pushtet nuk do të ketë më përplasje të kësaj natyre.

Rama: Një fushatë për zemrat e emigrantëve në Greqi

Në zgjedhjet e vitit 2021, Rama arriti ta parandalojë efektin elektoral që mund t’i kushtonte aleanca e opozitës me Athinën, kur mbylli kufijtë me Greqinë në momentin e fundit dhe bllokoi autobuzët që ishin gati për t’u nisur nga vendi fqinj, pretekstin e një vale të re të Covid-19.

Por kësaj radhe, votën e dhjetëra mijëra emigrantëve që jetojnë në Greqi, Rama ka vendosur ta joshë duke bërë, atë që di më mirë: të mbajë fjalime emocionalisht të ngarkuara për shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Greqi.

Në një takim që mbajti në Athinë këtë të dielë, ai u përpoq t’i kujtojë emigrantëve historinë e vështirë të tyre dhe të Shqipërisë. “Kam shumë besim që më e mira është e gjitha përpara për ne, për Shqipërinë. Kemi kaluar një kalvar të gjatë, të ngjashëm me kalvarin e secilit prej jush që keni ardhur në Greqi në vitet ‘90 apo më vonë,” tha ai, duke prekur një temë të ndjeshme për diasporën shqiptare.

Rama nënvizoi se shqiptarët nuk janë më të trajtuar si qytetarë të dorës së dytë dhe se tani kanë fituar respektin që meritojnë. “Të tjerët nuk na shohin më si qenie të kategorisë së dytë, por e kanë kuptuar që ne e kemi shumë seriozisht dhe që me ne ka një kusht që nuk e negociojmë: respekt për respekt. Japim respekt, duam respekt ndryshe me ne nuk mund të shkohet më tutje pa u ndalur në çdo moment kur mungon respekti.”

Pra, ndërsa Berisha mundohet të sigurojë mbështetjen e Athinës, Rama i kërkon votat e emigrantëve shqiptarë, duke u paraqitur si lideri që i ka ngritur kokën atyre dhe Shqipërisë në sytë e Europës.

Marrëdhënia me Erdoganin: Një tjetër pikë përplasjeje

Një tjetër element i rëndësishëm që ndan dy liderët dhe që Berisha e qartësoi gjatë intervistës për median greke Enikos.gr, është raporti me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Edi Rama nuk e ka fshehur kurrë marrëdhënien e tij të ngushtë me Erdoganin, duke e cilësuar atë si një “vëlla” dhe duke marrë mbështetje të vazhdueshme nga Ankaraja në investime të ndryshme, si ndërtimi i spitalit të Fierit para zgjedhjeve të vitit 2021.

Por, bashkë me mbështetjen e dhuruar nga Erdogan, Edi Ramës shpesh i është dashur të paguajë edhe haraçin ndaj presidentit turk, që me arrogancë ka përcjellë në Tiranë tensionet e luftës së brendshme të shtetit turk ndaj sektit të gylenistëve.

Berisha, nga ana tjetër, ka deklaruar se marrëdhëniet me Turqinë nuk do të jenë si ato të Ramës. “Turqia është një aleat, një partner i Shqipërisë. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë nuk mund të jenë kurrë në dëm të një pale të tretë. Nuk mund të them se do të kenë karakterin e atyre marrëdhënieve që pati Rama-Erdogan, sepse nuk jam unë për ato lloj marrëdhëniesh,” deklaroi ai.

Në këtë aspekt, Berisha po i jep Athinës një tjetër garanci: një Shqipëri më pak të varur nga Turqia dhe më të orientuar drejt Greqisë. Kjo vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Athinës dhe Ankarasë janë të tensionuara dhe çdo sinjal për distancim nga Turqia është një plus për marrëdhëniet shqiptaro-greke.

Lojë e pastër elektorale

Në fund të ditës, qasja e ndryshme e Berishës dhe Ramës ndaj Greqisë është thjesht një strategji e pastër elektorale. Berisha kërkon të përfitojë nga pakënaqësia e Athinës me qeverinë Rama dhe të sigurojë mbështetjen e qarqeve pro-greke brenda dhe jashtë vendit. Rama, nga ana tjetër, po investon tek votat e emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke u përpjekur t’i frymëzojë me mesazhe të forta emocionale për dinjitetin dhe respektin e munguar gjatë viteve të vështira të emigracionit.

Nëse Berisha do t’i mbajë premtimet e tij ndaj Greqisë apo nëse Rama do të vijojë të ruajë ekuilibrin mes Perëndimit dhe Erdoganit, mbetet për t’u parë.

Por një gjë është e sigurt: para votave të 11 Majit, as kufijtë detarë, as minoriteti, as raportet me Erdoganin apo Greqinë nuk kanë të krahasuar. Gjithçka bëhet për të njëjtin qëllim – pushtetin.

Po interesi kombëtar? Koncept, që e humb rëndësinë kur nis fushata./Lapsi.al