KURSK 1943 – KURSK 2024, REMINISHENCË NGA E KALUARA

Nga Dritan Goxhaj

81 Vite më parë, komanda e lartë Gjermane në mënyrë të ethshme përgatiti një ofensivë të re, për të sulmuar forcat ruse në rajonin e Kurskut, duke e qujatur atë “Operacioni Citadel”. (Unternehmen Zitadelle ).
Në Gjermani u shpall mobilizim i ri “total”.Gjermanët futën në përdorim tipa të rinj tankesh dhe topa vetëlëvizës, të cilët deri atëhere nuk ishin përdorur, me qëllim që ta thyenin kundërshtarin me anë të befasisë. Këto armë të reja ishin “Tigrat”, tanke 60 tonësh të armatosur me topa 88mm dhe “Ferdinantë”, topa të vetëlëvizëshëm 20 tonësh me koracë të përparshme deri 200 milimetër trashësi. Numri i divizioneve gjermane në frontin sovjeto-gjerman u rrit deri 257 në vend të 240 që vepronin në vitin 1942.

Beteja filloi më 5 korrik të 1943. Hitlerianët kaluan në ofensivë, duke u përpjekur të krijonin një “Stalingrad gjerman” për ushtrinë sovjetike.
Gjithë rezultati që dha ofensiva gjermane ishte përparimi i tyre vetëm 9 km në drejtim të Orel-Kursk.
Më 12 korrik ata u stopuan.
Në drejtimin Bielogord-Kursk gjermanët mundën në një sector të ngushtë të frontit të përparonin prej 15 deri 35km, porse më 16 korrik edhe këtu u ndalën.

Mbas ndalimit të armikut trupat sovjetike kaluan në kundërmësymje, duke e shpartalluar armikun në një betejë gjigandeske, duke i hapur sovjetikëve rrugën drejt Berlinit, gjë që solli disfatën e Gjermanisë Naziste.

81 Vite më pas, vetëm një muaj diferencë nga data e fillimit të operacionit gjerman në Kursk, më datë 6 gusht forcat ukrainase ndërrmorën një operacion mësymës në drejtim të Kurskut, dhe po ashtu, si gjermanët atëherë, edhe avancimi i forcave ukrainase u ndërpre në ditën e tretë të saj, duke u bërë pre tashmë e një kundërofesive ushtarake të forcave ruse, të konsideruar prej tyre si një operacion antiterror.

Po cili ishte qëllimi i këtyre dy operacioneve në distancë historike?

Cila është ngjashmëria midis tyre?

Qëllimi i ofensivës gjermane në vitin 1943 ishte ashtu si i ukrainasve në 2024: së pari, me kundërgoditje nga veriu dhe nga jugu të rrethonin dhe të asgjësonin trupat sovjetike të vendosura në rajonin e Kurskut, dhe në këtë mënyrë të ngrinin prestigjin e ushtrisë gjermane; dhe së dyti, të likuidonin këndin e përparuar, të hapnin rrugën e tyre në thellësi të vendit, për në Moskë.

Qyteti Kursk në qendër të saj shërbente si pikë fokusi për sulmet e blinduara gjermane, të cilat do të sulmonin në qëndrën e këtij përqëndrimi forcash.

Me fjalë të tjera, Kursku ishte një bast i madh nga ana e Hitlerit. Gjatë një muaj lufte, 5 korrik – 5 gusht fashistët humbën vetëm të vrarë 120 mijë ushtarë dhe oficerë.

Komanda e lartë gjermane besonte atëherë, ashtu si edhe komanda ukrainase sot, se ishte më mirë të luhej një bast sesa të pranohej një ngërç mbrojtës – ose një humbje e ngadaltë në frontin lindor për gjermanët, dhe në frontin e Donbasit për ukrainasit; ndërsa rusët, ashtu si i shtynin atëherë gjermanët prapa kilometër pas kilometri, këtë gjë po bëjnë edhe tashti ndaj ukrainasve, duke marrë nën kontrollin e tyre përditë fshatra në rajonin e Donbasit, pa u ndikuar aspak nga sulmi ukrainas në Kursk.

Në ndryshim nga atëherë, rusët në këtë rast të vitit 2024, nuk kishin përqëndruar në rajonin e Kurskut forca të mëdha ushtarake përveç atyre njësive të përherëshme, por që nuk ishin pjesë e operacioneve ruse në Ukrainë.

Pamvarësisht kësaj, ukrainasit nuk ishin të detyruar ta ndërmerrnin një operacion të tillë ashtu si gjermanët, të cilët e kishin nevojë mbijetese atë operacion, pasi rusët në atë kohë kishin grumbulluar një sasi të madhe forcash në atë rajon; por, si çdo operacion ushtarak edhe ai i ukrainasve ka objektivat e vet.

Objektivi operativo-strategjik i sulmit ukrainas në teritorin rus.

Duket se objektivi operativo-strategjik i këtij operacioni ka qënë kapja nga ana e forcave ukrainase e termocentralit nuklear të qytetit të Kurskut, me qëllim që kjo të përdorej nesër si një mjet shkëmbimi me rusët, ku ukrainasit, me të marrë termocentralin e Zaporizhës, t’i detyrojnë rusët të dorëzonin gjithë territorin që kanë aneksuar në Zaporizhje, si dhe duke u dhënë ukrainasve një qasje më të madhe nga ana operacionale – strategjike ndaj Krimesë.

Objektivi tjetër i mësymjes ukrainase në territorin rus ka qënë: detyrimi i komandës ruse që, për të përballuar këtë operacion të ukrainasve në brendësi të territorit të kundërshtarit (të rusve), të detyroheshin këta qëtë tërhiqnin trupa me eksperiencë luftimi nga fronti i luftës në Ukrianën Lindore, duke bërë kështu të mundur që, jo vetëm të ndalohej pëprarimi i përditshëm i forcave ruse në këtë front, por edhe të krijonin hapësira të konsiderueshme përgjatë frontit, për t’u dhënë kështu mundësi forcave ukrainase që, me përqëndrime me sasi të pakta trupash të mund të ndërrmerrnin kundërmësymje të vogla, për të rimarrë lartësi ose territore me rëndësi taktike apo operative për ta. Dhe pastaj t’i trumbetonin këto si fitore të mëdha.

Objektivi strategjiko – politik i sulmit ukrainas në territorin rus?

Ky objektiv nuk ka të bëjë aspak me interesin ukrainas, por vetëm me interesin e NATO-s dhe të gjithë vendeve të tjera, që bëjnë pjesë në grupin që kërkon të Ballkanizojë Rusinë.
Një sulm i tillë i ukrainasve me një forcë të përqëndruar, në një drejtim ku dihej se nuk kishte përqëndrim të forcave luftarake ruse, është një tentativë strategjiko-politike, dhe një provë për një sulm të ardhshëm të konsideruar si sulm preventiv ndaj Rusisë.

A mund të arrihet objektivi operacionalo – strategjik ?

Termocentrali bërthamor i Kurskut ndodhet 60 km larg drejtimit të sulmit të forcave ukrainase. Ndërkohë që ukrinasit kanë angazhuar në territorin rus një forcë prej 14 mijë bajonetash (ushtarësh), që është e barabartë me një divizion. Divizioni është njësi operative, dhe në mësymje ai shtrihet në një thellësi 15 deri në 25 km, dhe në një gjerësi 10-20km.

Pamvarësisht deklaratave të ukrainasve, se kanë marrë nën kontroll një territor prej 1000 km katërore, matematikisht dhe realisht kjo është e pamundur, sepse, duke qënë se arti ushtarak është edhe shkencë, dhe si e tillë edhe kjo shkencë bazohet mbi regulla matematikore.
Duke bërë përllogaritjet e mësipërme të shtrirjes së divizionit ukrainas në mësymje, i bie që ukrainasit kanë mundur të marrin nën kontroll vetëm një territor prej jo më shumë se 200 – 450 km katëror.

Ndërkohë që gjermanët në vitin 1943 për të arritur në Kursk, që është e njëjta distancë 60 km nga kufiri ukrainas, angazhuan 630 mijë forca, 2,700 tanke, 9,500 tyta artilerie të ndryshme dhe rreth 200 avionë luftarakë, dhe sërish raporti i forcave ishte 3 me 1 në favor të rusve.
Ndërsa sot raporti i forcave në Kursk është 6 me 1, deri në këto momente.

Pra, nga ana operacionalo – strategjike një frocë prej 14 mijë ushtarësh nuk mundet kurrë ta arrijë këtë objektiv.

A mund të arrihet objektivi operacional?

Duke nisur që në ditën e parë të këtij sulmi e deri në këto momente të këtij shkrimi, rusët nuk kanë tërhequr asnjë njësi ushtarake nga frontet e tjera të luftës në Ukrainë.
Duke qënë se kanë rezerva të mëdha në brendësi të Rusisë, (pasi ushtria Ruse ka kapacitetin e 1.5 milion ushtarëve, ku vetëm 600 mijë prej tyre janë angazhuar në Ukrainë), do të thotë se 900 mijë të tjerë ndodhen në Rusi.
Dhe tashmë, rusët e kanë kthyer zonën e zënë nga ukrainasit në një thes operativ, i cili po përdoret edhe si stërvitje për të gjitha ato njësi të tjera që nuk kanë marrë ende pjesë në frontin ukrainas.

Sipas Fjalorit Enciklopedik Ushtarak Shqiptar, thes operativ është atëherë kur pala mbrojtëse e tërheq armikun në shumë xhepa taktikë në thellësi, duke e futur në një kurth, për ta asgjesuar nëpëmjet zjarrit të të gjitha armëve.

Dhe, në veçanti, rusët prej ditës së parë kanë angazhuar në këto luftime në Kursk një sasi të madhe të forcave ushtarake të përbëra nga ushtarë të shërbimit të detyrueshëm, të cilët i kanë kaluar nën varësi të forcave të tyre special, të cilat janë të gjitha me përvojë të lartë lufte disa vjeçare.
Pra, rusët janë duke i përdorur forcat ukrainase në Kursk si poligon mësimor.

Deri sot, sipas vetë ukrainasve, pamvarësisht se po mundohen të çojnë forca të reja në këtë drejtim, me qëllimin e çarjes së këtij thesi operativ, ukrainasit kanë humbur rreth 5-6 mijë forca (të vrarë e të plagosur) që do të thotë, se divizioni ka rënë nën 70% të efektivit të tij, duke humbur efektivitetin si një divizion, ku tashmë njësitë nuk po luftojnë më për të zgjeruar territorin, por për të arritur të dalin gjallë nga thesi operativ.

Gjenerali amerikan Bradley Gerick, në një intervistë për Military.com, më 21 gusht 2024, analizonte operacionin ukrainas në Kursk duke thënë:
“Raporti i investimit të trupave me rezultatin është i paprecedent për shekullin e 21. Asnjë operacion në historinë e tanishme nuk ka qënë kaq i dështuar. Rezultati i arritur është i papërfillshëm në raport me forcën njerëzore dhe material të konsumuara. Ukrainasit kanë grumbulluar për këtë operacionnë rajonin e Kurskut pjesën e tyre më të fuqishme dhe më të përgatitur ushtarake dhe teknike, ku eleminimi i tyre i pakuptimtë është vetëm çështje javësh, pasi ukrainasit nuk kanë ku të tërhiqen, dhe rusët kanë eksperiencë të madhe në operacione të tilla.”

Duket qartësisht se objektivi operacional nuk është arritur.

A mund të arrihet objektivi strategjiko-politik?

Që kur u pa se ky operacion ndaloi avancimin në ditën e tij të tretë, të gjitha mediat në Perëndim filluan si në kor, duke shkruar e dekalaruar se edhe këtë operacion, ashtu si atë për hedhjen në erë të Nordstreem-2, e ka bërë vetë Shtabi i Përgjithëshëm i Ukrainës nën direktivën direkte të presidentit Zhelenski.

Domethënë, edhe dështimin politik ja faturuan menjëherë ukrainasve.
Zhelenski ka treguar gjithë këtë kohë, prej kur ka ardhur në pushtet, se ai nuk është as budalla e as gjeni, por thjesht dhe vetëm një “Yes Man”, që çdo perandori dhe superfuqi do e ëndërronte ta kishte nën urdhrat e saja.

Tashmë që ky operacion është thjesht një dështim i madh ushtarak, po duan t’ja faturojnë edhe dështimin strategjik dhe politik Ukrainës.
Ndërkohë që është mëse evidente që një operacion i tillë është ideuar, ndërtuar e udhëhequr direkt nga gjeneralët e NATO-s, dhe në veçanti nga britanikët.

Dhe konkretisht. Në maj të këtij viti, NATO vendosi të përshtasë një program për Ukrainën, të titulluar “Comprehensive document of NATO assitance to Ukraine”, të punuar nga Komiteti për Mbrojtjen dhe Sigurinë, i drejtuar nga diplomati britanik Piers Casale.
Në këtë dokument prej 500 faqesh shkruhet se, Ukraina duhet të jetë komplet nën kontrollin e NATO-s, dhe se në samitin e NATOS në vitin 2026 duhet të raportojë implementimin total të këtij dokumenti.
Në një nga 12 kapitujt e këtij dokumenti bëhet fjalë edhe për krijimin e një force të re operacionale të bashkuar speciale (Joint Operational Special Task Force), ku do të bëjnë pjesë edhe elementë nga aviacioni, dhe se kjo forcë do të përdoret për depërtime të thella në territorin Rus.
Dhe kjo e Kurskut është tentativa e parë e kësaj shkalle sipas këtij dokumenti.

A kanë mundur rusët ta diktojnë grumbullimin e forcave ukrainase në afërsi të kufirit Rus, në drejtim të Kurskut?
Patjetër që po.

A janë zënë në befasi nga ky sulm Ukrainës?
Patjetër që po.

Por tashmë ukrainasit e kanë humbur totalisht nismën operacionale, dhe kjo po kthehet në një katastrofë për forcat ukrainase, pasi po humbasin njerëz dhe materiale të pazëvendësueshme për nevojat e tyre në frontin e brëndëshëm ukrainas.

Dështimi i këtij operacioni nuk është se ka të njëjtën vlerë si dështimi i operacionit gjerman në vitin 1943, pasi këtu nuk kemi një angazhim shumë të madh të forcave, por vetëm një angazhim elitar të tyre. Por ky veprim nga ana politike i ka dhënë fund çdo lloj negociate në të ardhmen, duke ia lënë fatin e luftës vetëm fushës së betejës, dhe jo më bisedimeve në tavolinë./gazetaimpakt

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne