Kurti: Më 14 shtator pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit Lajçak kundër Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se më 14 shtator, në rundin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak, është pozicionuar kundër Kosovës.

Kurti në një konferencë për media tha se ka shkuar në Bruksel me propozim konkret, duke parashikuar zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të arritur midis palëve sivjet.

Ai tha se në takimin trilateral me pjesëmarrjen edhe të presidentit të Serbisë i është ekspozuar një skenari “të cilin dukej se Lajçak e kishte dizajnuar më parë” derisa theksoi se “presidenti Serbisë dhe Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe shpërfillje të koordinuar, duke thënë të dy se: ky plan është shumë jorealist”.

Kurti tha se Serbia nuk ka bërë ndonjë propozim deri më tani për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por edhe për faktin që Kosova i ka bërë disa propozime, ato janë shpërfillur nga përfaqësuesit e BE-së.

“Më 14 shtator pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi dhe kundër Marrëveshjes Bazike në veçanti. Kështu ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës dhe në situatën që jemi vlerësoj që nuk mund të shtrembërohen në gjykimin tim me asnjë hedhje e hirit syve. Ose do e zbatojmë Marrëveshjen Bazike në tërësi, në plotni të saj, ose nuk mund t’i zbatojmë vetëm ato që i do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur dhe një republikë e pavarur e Kosovës, nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të ecë në një shteg të tillë”, theksoi Kurti.

Kryeministri Kurti tha se kjo çështje nuk është se Kosova duhet tani të kalojë nga BE-ja tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), apo nga një superfuqi tek tjetra, ngase ato janë bashkë.

“Nuk është këtu çështja Bashkim Evropian – Shtete të Bashkuara të Amerikës, këtu kemi të bëjmë me një emisar evropian i cili e ka deformuar procesin duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë dhe të hollësishëm dhe të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, por, duke lejuar që ‘qerrja të vihet para kuajve’ me vendosjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe njëherë, pastaj shohim…”, tha Kurti.

Konferenca e kryeministrit Kurti me kryenegociatorin kosovar Bislimi vjen pas takimit të kryeministrit kosovar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel më 14 shtator, nga i cili nuk pati ndonjë marrëveshje midis palëve.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tha se në takimin e liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të nivelit të lartë në Bruksel, Kurti nuk e pranoi propozim-kompromisin e BE-së për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Për shkak të mosarritjes së një marrëveshjeje në Bruksel, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se pret “një presion të ri” nga Perëndimi ndaj shtetit të tij lidhur me bisedimet me Kosovën./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne