Besmir Semanaj
Shqipëria u shpall dje “vendi i parë në botë” për sigurinë kibernetike, sipas National Cyber Security Index. Ka një detaj që s’u përmend askund në festimin zyrtar, dhe që e ndryshon pak këndvështrimin.
eGA, organizata estoneze që administron këtë indeks, nuk është thjesht një vëzhgues i largët që rri në Talin dhe shënon pikë. Është njëkohësisht edhe zbatuesja e paguar e disa prej projekteve kryesore që kanë ndërtuar pikërisht ato kapacitete kibernetike për të cilat Shqipëria po vlerësohet.
Tre projekte, e njëjta organizatë.
I pari, “Cybersecurity Rapid Response for Albania, Montenegro and North Macedonia 1.0”, gusht 2022 deri korrik 2024, 2.6 milionë euro nga Bashkimi Evropian, zbatuar nga eGA në partneritet me AKSHI dhe AKSK. Këshillim ligjor, trajnime, këshilltarë rezidentë pranë institucioneve shqiptare, dhe një ushtrim “live fire cyber drill” në Tiranë, të ndjekur nga presidentët Bajram Begaj dhe Alar Karis.
I dyti, “Rapid Response 2.0”, prill 2024 deri shtator 2025, 1.8 milionë euro, po nga BE-ja, po nga eGA. Ky shkoi më larg, dorëzoi vetë softuerë kibernetikë tek institucionet shqiptare (Greynoise, Acunetix, Cognyte Luminar), me vlerë rreth 155 500 euro.
I treti, “Cyber Balkans”, mars 2023 deri mars 2026, ku eGA është partneri kryesor i një konsorciumi për gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë përfshi. Në kuadër të tij, eGA organizoi edhe ushtrimin rajonal “Western Balkan Cyber Connect 2025” në Talin, në nëntor 2025.
Të tria janë publike, të dokumentuara vetë nga faqet zyrtare të eGA, nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe nga EEAS-i në Bruksel. S’ka asnjë fshehtësi, gjithçka është deklaruar hapur si histori suksesi.
Problemi s’është që projektet ekzistojnë. Problemi është strukturor.
Organizata që ndërton kapacitetet kibernetike të Shqipërisë me para të BE-së, që këshillon institucionet shqiptare për ligjet, që u dorëzon softuerë, që organizon stërvitjet, është e njëjta organizatë që administron indeksin ku Shqipëria u ngjit nga vendi 54 në vendin 1 brenda tre vitesh. Kjo nuk do të thotë automatikisht që shifrat janë fallco. Do të thotë diçka më e thjeshtë: nuk ka asnjë palë të tretë të pavarur, pa interes, që ta konfirmojë rezultatin. Vlerësuesi dhe këshilltari janë e njëjta dorë.
Shto këtu edhe faktin që të dhënat mbi të cilat ndërtohet vetë pikëzimi i vijnë eGA-s nga AKSK-ja, pra nga qeveria shqiptare. Kemi kështu tre palë: qeverinë shqiptare që raporton për veten, organizatën estoneze që e ka ndihmuar këtë qeveri të ndërtojë atë çka po raporton, dhe të njëjtën organizatë që gjithë këtë e shndërron në një notë prej 98.33 pikësh. Askush nga jashtë s’ka ardhur ta testojë praktikisht.
Kur një kompani auditimi këshillon një biznes si ta ndërtojë bilancin, dhe pastaj vetë e certifikon atë bilanc si të saktë, kjo quhet konflikt interesi edhe në kontabilitet, jo vetëm në siguri kibernetike.
Do të kishte vlerë të pyetej drejtpërdrejt eGA nëse ekziston ndonjë mur i brendshëm ndarës mes ekipit që zbaton projektet e financuara nga BE në Shqipëri dhe ekipit që vlerëson NCSI-në për të njëjtin vend. Dhe do të kishte vlerë të krahasohej publikisht sa nga rritja e pikëve korrespondon me indikatorë që u prekën drejtpërdrejt nga këto tre projekte, pra sa nga suksesi që eGA po e mat, është thjesht suksesi i vet punës së eGA-s./fb

















