Ajo që nisi si një protestë në zemër të Tiranës u shndërrua më pas në një marshim të gjatë drejt periferive të kryeqytetit, duke surprizuar jo vetëm autoritetet, por edhe një pjesë të vetë pjesëmarrësve. Turma fillimisht u drejtua drejt autostradës Tiranë-Durrës dhe më pas mori drejtimin e Rinasit, në një lëvizje që zgjati disa orë dhe shkaktoi bllokime të shumta trafiku.
Itinerari i ndjekur nga protestuesit ka hapur debat dhe ka ngritur dyshime mbi mënyrën se si u mor vendimi për t’u larguar nga qendra e qytetit. Sipas disa qytetarëve, ekzistojnë dyshime se persona të paidentifikuar, që pretendohet se janë paraqitur si efektivë policie, mund të kenë ndikuar në orientimin e turmës drejt aeroportit.
Mes protestuesve ekziston bindja se devijimi i marshimit nuk ishte spontan. Sipas tyre, qëllimi mund të ketë qenë konsumimi fizik i pjesëmarrësve përmes një ecjeje të gjatë, duke ulur gradualisht numrin e qytetarëve protestues dhe duke zbehur intensitetin e saj.
Pas mesnatës, turma mbërriti pranë mbikalimit të Rinasit dhe ndoqi lëvizjen drejt aeroportit “Nënë Tereza”. Forcat e policisë vendosën masa sigurie dhe ngritën një kordon për të penguar afrimin e protestuesve në zonën e aeroportit, ndërkohë që u bënë thirrje të vazhdueshme për të liruar rrugën dhe për të shmangur bllokimin e trafikut.
Pas një qëndrimi disa minutash përballë kordonit policor, protestuesit u tërhoqën dhe nisën të shpërndahen. Megjithëse marshimi u shoqërua me tensione dhe vështirësi në trafik, situata nuk degradoi në përplasje mes qytetarëve dhe policisë, duke përfunduar pa incidente serioze./JOQ


















