Lavron krahason SHBA-në me Napoleonin dhe Hitlerin në bashkimin e Perëndimit për të “shkatërruar Rusinë”

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov ka krahasuar SHBA-në me diktatorin francez, Napoleon Bonaparta dhe liderin nazist gjerman, Adolf Hitler, duke theksuar se ajo ka bashkuar Perëndimin në përpjekjen për t’i shkaktuar një “disfatë strategjike” Rusisë.

“Ashtu si Napoleoni në vitin 1812, Hitleri në vitin 1941, SHBA-ja sot ka bashkuar pothuajse të gjitha vendet perëndimore për të provuar edhe një herë të shkatërrojnë Rusinë, t’i shkaktojnë asaj një ‘disfatë strategjike’ dhe ta eliminojnë atë si një lojtar të pavarur në arenën ndërkombëtare”, tha Lavrov në adresimin e tij në Moskë në një tubim të bashkatdhetarëve rusë që jetojnë jashtë vendit.

Ai tha se niveli i veprimeve anti-ruse në vendet perëndimore shkon përtej çdo mase dhe prek diasporën ruse. Lavrov kritikoi Perëndimin për braktisjen e vlerave tradicionale dhe parimet morale dhe propagandimin e “tolerancës së arritur në pikën e absurditetit”.

“Simbolet fetare po ndalohen. Në BE mbyllin sytë ndaj përdhosjes së faltoreve muslimane, veprimeve për të shkatërruar, pa ekzagjerim, fenë ortodokse. Në Ukrainën fqinje, nazistët dhe antisemitët glorifikohen në nivel zyrtar, ata po udhëheqin çështjen për të ndaluar Kishën Ortodokse kanonike, për të thelluar përçarjen e kishës”, theksoi ai.

Shefi i diplomacisë ruse paralajmëroi se një rrugë e tillë shkakton “dëme të pariparueshme në shëndetin moral të njerëzve, i privon ata nga rrënjët e tyre civilizuese, çon në tjetërsimin e ndërsjellë, de-personalizimin dhe vetë-shkatërrimin e shoqërisë”, si dhe kontribuon në rritjen e radikalizmit, nacionalizmit agresiv, neo-nazizmit, ksenofobisë dhe intolerancës. “Përpjekjet e elitave perëndimore për të imponuar vlerat e tyre, të cilat janë të huaja për kombet e tjera, çojnë në shkatërrim”, theksoi Lavrov duke përmendur si shembull Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.

Lavrov tha se nuk ka dyshime se problemet aktuale do të tejkalohen, përfshirë edhe ndihmën e bashkatdhetarëve, të cilët mbeten bartës të traditave, duke ua përcjellë ato fëmijëve dhe nipërve, duke kontribuar në formimin e një imazhi objektiv dhe të paanshëm të vendit. “Rusia si shtet qytetërues do të vazhdojë të mbrojë parimet morale të jetës ndërkombëtare, të promovojë parimet e ndershmërisë, të së vërtetës, mirësisë dhe drejtësisë në komunikimin ndërshtetëror”, tha ai./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne