LDK nuk e përkrah pakon emergjente të PDK-së, AAK dhe Nisma po

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të përkrahë pakon emergjente të propozuar nga PDK-ja në seancën e nesërme. Kështu u shpreh për KosovaPress shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Derisa dy partitë tjera opozitare, AAK dhe Nisma-AKR thanë se do të votojnë pro një pako të tillë.

Deputeti i LDK-së thotë se propozimi i PDK-së është vetëm një projekt-rezolutë dhe nuk është obliguese për qeverinë në detyrë.

“Në formën siç është nuk e përkrahim”, u shpreh Gashi përmes telefonit për KosovaPress.

Përkrahje pakos 320 milionëshe të PDK-së për t’u ballafaquar me krizën pandemike i dha shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj.

Ai tha për KosovaPress se në këtë pako janë të përfshira edhe pikat e partisë së tij.

“Kemi edhe ne pikat tona kemi dy pako të propozuara. Është pako emergjente aktuale dhe ajo e stabilitetit ekonomik pas pandemisë. Do të inkorporojmë të dyja bashkë”, tha Haradinaj.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Nisma-AKR, Haxhi Shala u shpreh se janë të informuar për këtë pako dhe se do të koordinohen me PDK-në brenda seancës së nesërme.

“Në vija të trasha jemi të informuar në lidhje me këtë pako. Por gjithçka do të varet nga seanca dhe do të koordinohemi brenda seancës”, tha ai.

Ndërkohë gjatë ditës sotme, PDK i ka bërë thirrje gjitha partive parlamentare pa dallime të votojnë nesër për pakon emergjente. Sipas tyre ajo i adreson nevojat e qytetarëve në këtë krizë pandemie dhe ekonomike.

Pako emergjente e Qeverisë në detyrë është paraparë të jetë 170.6 milionë euro, ndërsa ajo e propozuar nga partia opozitare, PDK 320 milionë./Mesazhi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne