Agim Kasemi
Rikthimi i Lea Ypi në Shqipëri, i shoqëruar me promovimin e librit të saj, është trajtuar gjerësisht në diskursin publik si një akt personal, emocional, madje edhe si një përballje e ndershme me të shkuarën. Por një lexim më i thellë, i çliruar nga sentimentalizmi dhe sipërfaqësia mediatike, na detyron të shtrojmë një pyetje thelbësore:
a ishte kjo ardhje vërtet një akt individual, apo pjesë e një mekanizmi më të gjerë politik e kulturor?
Në shoqëritë në tranzicion, veçanërisht ato që nuk e kanë përfunduar kurrë ndarjen reale me strukturat e vjetra të pushtetit, kultura dhe figura intelektuale shpesh përdoren si instrumente legjitimimi. Kritika lejohet, madje nxitet, por vetëm brenda kufijve të paracaktuar, atje ku ajo nuk rrezikon thelbin e sistemit, por thjesht e rifreskon atë.
Lea Ypi nuk është një produkt i rastësisë. Formimi i saj akademik, rrugëtimi i saj institucional dhe ekspozimi i hershëm në qendra perëndimore të mendimit politik nuk janë thjesht arritje personale, por edhe tregues të një investimi afatgjatë në një profil të caktuar ideologjik. Ky është modeli i intelektualit kritik që flet për traumën, për dhimbjen, për të shkuarën, por që nuk prek mekanizmat aktualë të pushtetit real në Shqipëri.
Kritika e komunizmit, e izolimit, e autoritarizmit të djeshëm është sot një terren i sigurt. Ajo nuk rrezikon askënd. Përkundrazi, i shërben diçkaje që lejon klasën politike aktuale të paraqitet si “e çliruar”, “evropiane” dhe “përtej së shkuarës”, ndërkohë që struktura klienteliste, kapja e shtetit dhe mungesa e sovranitetit real mbeten të paprekura.
Në këtë kuptim, ardhja e Lea Ypit në Shqipëri nuk mund të lexohet si një kthim intim drejt vendit të lindjes, por si një akt i orkestruar kulturor, ku figura e intelektualit të majtë, kritik në formë dhe i padëmshëm në përmbajtje, shërben për të krijuar iluzionin e ndryshimit.
Është pikërisht ky iluzion që i nevojitet sot pushtetit politik. Një tranzicion pa ndërprerje. Një rotacion figurash, por jo i strukturave. Një largim formal i Edi Ramës, nëse dhe kur të ndodhë, por një vazhdimësi e të njëjtit model qeverisjeje, të njëjtit orientim të varësisë dhe të njëjtës mungesë autonomie vendimmarrëse.
Historia moderne njeh mjaft shembuj të tillë: figura të përkëdhelura, të promovuara si zëra kritikë, por që në thelb kanalizojnë pakënaqësinë shoqërore drejt një rruge të padëmshme për sistemin. Në këtë prizëm, diskursi i Lea Ypit nuk përmbys asgjë; ai thjesht e estetizon krizën shqiptare dhe e bën të pranueshme për konsum perëndimor dhe vendas njëkohësisht.
Prandaj, problemi nuk është Lea Ypi si individ. Problemi është përdorimi i saj si simbol. Si figurë që flet për dhimbjen, por jo për fajtorët aktualë. Që kritikon të shkuarën, por hesht për të tashmen. Që ofron ndjeshmëri morale, por jo projekt emancipues.
Shoqëria shqiptare nuk ka nevojë për karikatura të kritikës, por për analizë të vërtetë të pushtetit, për ballafaqim me realitetin dhe për një ndryshim që nuk vjen nga tavolinat e huaja, por nga vetëdija sovrane e saj.
/fb


















