Liga Arabe mbështet padinë për gjenocid që Afrika e Jugut ka ngritur kundër Izraelit në GJND

Liga Arabe njoftoi se jep mbështetje “të plotë” për padinë që Afrika e Jugut ka ngritur kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) me akuzën për “kryerje të gjenocidit” dhe “shkelje të Konventës së 1948 për Parandalimin e Krimit të Gjenocidit”. Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit në një deklaratë mbrëmë tha se “Është krejt e natyrshme dhe logjike që Liga Arabe të japë mbështetje të plotë për çështjen që Afrika e Jugut ka ngritur kundër Izraelit në GJND me akuzën për gjenocid”.

Duke falënderuar Afrikën e Jugut për “këtë qëndrim parimor i cili mban vlerat njerëzore mbi të gjithë elementët” Gheit uroi që nga GJND të dalë një vendim i drejtë dhe i guximshëm i cili do t’i japë fund gjakderdhjes së palestinezëve. Ai tha se Liga Arabe ka dashur të përfshihet në gjykim por që nuk kishte mundësi si organizatë të përfshihen në një gjykim të tillë në GJND.

Zëdhënësi i Ligës Arabe, Jamal Rushdi në një deklaratë me shkrim tha se njësive përkatëse të Ligës Arabe u ka dhënë udhëzim të ndjekin gjykimin në fjalë dhe se janë të gatshëm të mbështesin çështjen.

Rushdi thekson se pret me padurim që nga gjykimi të dalë një vendim i cili të sigurojë që lufta ndaj civilëve në Rripin e Gazës të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të hapet rruga që të gjithë zyrtarët izraelitë të përfshirë në krimin e gjenocidit të japin llogari.

“Padia për gjenocid” e paraqitur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në GJND

Sipas nenit 9 të Konventës së OKB-së të vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit, nëse një shtet shkel nenet e konventës, çdo shtet palë në konventë mund të ngrejë padi në GJND kundër shtetit shkelës.

Më 29 dhjetor Republika e Afrikës së Jugut ngriti padi në GJND me arsyetimin se Izraeli ka shkelur Konventën e OKB-së të vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit me veprimet e tij që ka kryer në Gaza që nga 7 tetori dhe kërkoi marrjen e një urdhri të masës paraprake për Izraelin.

Për shkak të urgjencës së situatës, Afrika e Jugut kërkon nga GJND marrjen e një vendimi për urdhër të masës paraprake, ndërkohë avokatët e Afrikës së Jugut do të bëjnë paraqitjen e tyre gjykatësve të gjykatës domosdoshmërinë e masave paraprake në seancën dëgjimore më 11 janar, ndërsa avokatët e Izraelit do t‘i bëjnë prezantimet e tyre më 12 janar.

Kujtojmë se sot në Hagë filloi seanca dëgjimore publike lidhur me padinë për gjenocid të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në GJND./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne